Vlorë, Idrizi: Kauza jonë, e të gjithë shqiptarëve
Kreu i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idizi, së bashku me deputetin tjetër të kësaj partie, Dashamir Tahiri, prezantuan dje në Vlorë objektivat e kësaj force për vitin 2010. Në fjalën e tij, deputeti Idrizi theksoi se kauza e kësaj partie, çështja çame, është pjesë e të gjithë shqiptarëve. Në planin e punës së prezantuar dje u vendosën piketat kryesore të organizimit të brendshëm të partisë dhe objektivat për këtë vit. Gjatë takimit me drejtuesit e grupit nismëtar të PDU-së në Vlorë, deputetët e Partisë Drejtësi dhe Unitet, kryetari Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, paraqitën objektivat kryesore të kësaj partie si në arenën e brendshme, ashtu edhe në atë ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjeve kombëtare shqiptare e sidomos të çështjes çame. Gjatë fjalës së tij, kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi, vendosi theksin mbi nevojën e organizimit të strukturave solide, të partisë me qëllim çuarjen para të aspiratës të partisë me profesionalizëm. “Ne jemi një Parti, që ka një kauzë të madhe, një kauzë që është e fortë tek gjithsecili nga ne. Prandaj, jemi më të motivuar. Por, që të përballojmë me sukses sfidat e ardhshme elektorale dhe të çojmë përpara me cilësi e profesionalizëm aspiratën tonë, ne duhet ta kthejmë PDU-në në një parti moderne, të miroragnizuar me struktura solide e hapësira për të kontribuar të gjithë. Tani është koha për ta filluar këtë proces. Pasi ne treguam se ç’dimë të bëjmë, motivuam e ngjallëm shpresën tek të gjithë anëtarët e komunitetit tonë e tek të gjithë shqiptarët. PDU do jetë parti e të gjithë shqiptarëve”, - deklaroi Idrizi. Kreu i PDU-së u parashtroi drejtuesve lokalë të PDU-së, në mënyrë të detajuar, planin e punës me periudhë njëvjeçare, ku janë vendosur kushtet që duhet të arrijë partia, me qëllim që të mund të jetë në të ardhmen sa më afër objektivave të saj. Idrizi prezantoi organigramën e partisë siç është vendosur nga mbledhja e Këshillit Kombëtar, si edhe objektivat e punës për vitin 2010 të ndara si në aspektin e brendshëm të partisë, në atë politik kombëtar, si edhe në marrëdhëniet me institucionet ndërkombëtare. Gjatë fjalës së tij, Idrizi theksoi se çështja çame është më afër zgjidhjes së vet dhe për këtë u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, pa dallim origjine, që të kontribuojnë aktivisht për këtë çështje. “Çështja çame jo vetëm nuk mund të harrohet, por ajo e ka fituar luftën me kohën, dëshmitarë e garantë për këtë jemi ne 300 mijë shqiptarët e Çamërisë. Dhimbja dhe padrejtësia që iu bë 30 mijë çamëve, sot është dhjetëfishuar e transmetuar në ADN-në tonë, ajo është e gjallë në 300 mijë vetë e do transmetohet brez pas brezi deri sa kjo çështje të gjejë drejtësi. Miqtë e mi, sot është koha. Sot është plotësisht e mundur e kjo është vetëm në dorën tonë, le të punojmë e luftojmë që mos t’ua u lëmë si brengë fëmijëve tanë çështjen çame, megjithëse jam i bindur që ata do dinë ta zgjidhin ndoshta më mirë se ne”, - tha më tej kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi.