E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toka me 7501, akte të reja për titullin e pronësisë

Tokat e ndara me ligjin 7501 do të kenë një akt të ri konfirmimi, i cili do të verifikojë gjendjen e sasisë së tokës në terren si dhe do të shërbejë si një akt i ri për titullin e pronësisë të fituar me këtë ligj. Këshilli i Ministrave ka zbardhur vendimet përkatëse ku parashikohet edhe formati i aktit të ri të rikonfirmimit të titullit të pronësisë. Ky akt do të firmoset nga kryetari i Komisionit Vendor të Tokës, i cili do të bëjë hetimin në terren dhe më pas edhe nga prefekti i qarkut. Në këtë akt të ri do të shënohet sasia e sipërfaqes, numri i ngastrës dhe zëri kadastral dhe do të firmoset nga dy eprorët përkatës. Sipas të dhënave paraprake, verifikimi i titujve të pronësisë të tokës bujqësore të ndara sipas ligjit 7501 do të prekë rreth 500 mijë familje në gjithë vendin. Të dhënat në Ministrinë e Bujqësisë flasin se gjatë gjithë këtyre viteve, nga vit 1991, kur filloi veprimin ligji 7501, janë ndarë afërisht 563 mijë hektarë tokë bujqësore për 445 mijë familje. Verifikimi i titujve të pronësisë do të prekë edhe familjet që kanë qenë pjesë e ish-ndërmarrjeve bujqësore si dhe tokat me përparësi turizmin, çka do ta rrisë numrin e përfituesve të tokave në bazë të këtyre ligjeve. Me anë të udhëzimeve të miratuara nga Këshilli i Ministrave një ditë më parë, do të bëhet e mundur që verifikimi i këtyre titujve të bëhet në shpejtësi, pasi ligji parashikon një periudhë 3-vjeçare për verifikimin, kur tashmë ka kaluar një vit. Ashtu siç është bërë e ditur, fillimisht puna do të nisë nga verifikimi i titujve të pronësisë, ku janë raportuar se janë bërë abuzime. Nga ana tjetër, do të shqyrtohen fillimisht edhe ankesat e ardhura nga qytetarët për ndarjen e tokës bujqësore që zënë në total mbi 25 mijë ankesa të ardhura në ministri.
Abuzimet e zbuluara
Nga verifikimet e deritanishme për titujt e pronësisë me ligjin 7501 janë zbuluar 1 milion e 321 metra katrorë tokë të zaptuar në mënyrë të kundërligjshme. Kjo tokë është siguruar prej komisionit të posaçëm për verifikimin e titujve të pronësisë që nga miratimi i ligjit deri në fund të muajit nëntor. Kjo sasi toke i është kthyer shtetit. Komisioni për verifikimin e titujve të pronësisë ka afat trevjeçar për mbylljen e këtij procesi, por sipërfaqet që ai i identifikon si të përfituara në mënyrë abuzive do të mund të kalojnë përfundimisht në tërësi të shtetit, vetëm pasi të marrin edhe vendimin e gjykatës. Një vit pas miratimit të ligjit për verifikimin e titujve të pronësisë, komisionet vendore të vlerësimit pranë prefekturave kanë shqyrtuar mbi 700 vendime. Me përparësi po shqyrtohen abuzimet në brezat turistike dhe janë identifikuar jo pak sipërfaqe të marra në mënyrë të kundërligjshme.
Të dhënat
Ministria e Bujqësisë ka ruajtur informacionet në lidhje me ankesat e qytetarëve për ndarjen e tokës. Nga ana tjetër, janë bërë edhe verifikime dhe ekziston një bazë të dhënash me abuzimet e mundshme që mund të jenë bërë. Kështu, të dhënat paraprake flasin se me ligjin 7501 janë dhënë në mënyrë abuzive 26 mijë hektarë tokë, ndërsa me ligjin për ndarjen e tokave bujqësore dhe kooperative janë ndarë 12 mijë hektarë tokë. Ndërkohë, ka probleme kufijsh në 180 raste për 2 700 hektarë. Afërsisht, rreth 12 mijë subjekte kanë zënë tokë në mënyrë të paligjshme në një sipërfaqe prej 6 100 hektarësh. Ndërkohë, janë kryer abuzime me dokumentet e pronësisë të dhëna sipas ligjit 7501 dhe 8053. Bëhet fjalë për 170 hektarë pyje, 254 hektarë kullota, 296 hektarë tokë e pashfrytëzueshme. Sipas të dhënave paraprake, në shumë raste ka më tepër se dy mbivendosje. Ndërkohë, duhet pasur parasysh se 80 për qind e anëtarëve të komisioneve të ndarjes së tokave pranë komunave kanë qenë me arsim 8-vjeçar. Gjatë këtyre viteve, gjithsej janë ndarë 563 mijë hektarë tokë bujqësore për 445 mijë familje. Në shumë raste këto prona kanë qenë rreth zonave urbane e në bregdet dhe ato tashmë janë kthyer në troje për ndërtim ku janë ngritur objekte. Në këto raste do të penalizohet vetëm ai që e ka përfituar titullin e pronësisë në mënyrë të padrejtë. Nëse ka kryer transaksion dhe këtë pronë ai nuk mund t’ia kthejë shtetit, atëherë do të paguajë çmimin për metër katror sipas vlerës së tregut, përcaktuar në hartën e vlerës së tokës që ka Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Sipas ligjit, familjeve fermerë do t’u falet deri në 10 për qind tokë nëse e kanë mbi kërkesat e ligjit 7501 dhe çdo sasi mbi të lejuarën do rimerret nga shteti.

Titujt që rikonfirmon akti i ri
1-Ligji parashikon rishqyrtimin nga e para të të gjithë titujve të pronësisë të dhënë që nga viti 1991 edhe sipas ligjit 7501. Ai përfshin të gjitha sipërfaqet e tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, e që më pas janë ndarë nga Ministria së Bujqësisë në fshatra deri në datën 30.4.1998. Në bazë të tij, titujt e lëshuar që nga 1.8.1991, por që nuk figurojnë në hipotekë si tokë bujqësore, do të anulohen, pasi ato llogariten si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore etj.

2-Sipërfaqet në zonat e zhvillimit me përparësi turizmin, të përcaktuara në ligjin nr. 7665, datë 21.1.1993, “Për zhvillimin e zonave, që kanë përparësi turizmin”, të ndryshuar dhe në aktet nënligjore, dalë në zbatim të tij.

Procesi i verifikimit të titujve të pronësisë

Në udhëzimet e Këshillit të Ministrave përcaktohet se një grup institucionesh shtetërore do të japin gjithë informacionin e kërkuar nga komisionet vendore të tokës. Kështu, fillimisht komisionet do t’i drejtohen zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ku i kërkohet lista e akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi që disponon, fotokopja e listës së akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi dhe e hartave treguese të regjistrimit që disponon, si dhe gjendja juridike e pronësisë së ngastrave. Komisionet do t’i drejtohen edhe seksionit të administrimit dhe mbrojtjes së tokës, në këshillin e qarkut, ku i kërkohen të dhëna për sipërfaqen e tokës bujqësore, e vënë në dispozicion për t’u ndarë sipas fshatrave, më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore apo më 1.10.1992, për ish-ndërmarrjet bujqësore dhe të dhëna për normën e tokës bujqësore në m2 për frymë sipas fshatrave. Edhe kryetarët e komunave dhe bashkive do të duhet të japin informacion për sipërfaqen e tokës bujqësore të vënë në dispozicion për t’u ndarë, sipas fshatrave, më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore apo më 1.10.1992, për ish-ndërmarrjet bujqësore (hartat në shkallën 1:5000 dhe librat e ngastrave) ku çdo informacion tjetër që do të gjykohet nga komisioni vendor i nevojshëm për kryerjen e plotë të kontrollit. Seksioni i urbanistikës në këshillin e qarkut do të vërë në dispozicion hartat e zonës së zhvillimit me përparësi turizmin, e përcaktuar sipas ligjit nr. 7665, datë 21.1.1993, të ndryshuar dhe akteve nënligjore, dalë në zbatim të tij si dhe hartat e vijës kufizuese të ndërtimit për secilin fshat, objekt i kontrollit. Zyrës rajonale të Arkivit të Shtetit i kërkohet dokumentacioni që disponon për ndarjen e tokës bujqësore, për sipërfaqen, objekt i kontrollit, por edhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ku i kërkohet të konfirmojë për përfituesit e tokës bujqësore, qenien apo jo, më 1.8.1991, anëtarë të ish-kooperativës bujqësore apo më 1.10.1992, punonjës të ish-ndërmarrjes bujqësore, sipas akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, për të cilët do të kryhet shqyrtimi i vlefshmërisë ligjore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›