E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli rikonstrukton sallën e seancave parlamentare në prag të sesionit të ri



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka ndërmarrë gjatë muajit gusht, kohë gjatë së cilës Kuvendi mbylli punimet e sesionit të parë parlamentar, një nismë për rikonstruksionin e sallës së seancave parlamentare. Në më pak se një muaj po punohet me një ritëm të lartë për rikonstruksionin e sallës së seancave dhe deri tani është bërë një punë e madhe në mënyrë që salla të jetë gati me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Madje Kuvendi njofton se punëtorët kanë punuar me 3 turne për të bërë të mundur përfundimin sa më parë të punimeve. Sipas njoftimit të Kuvendit, ky rikonstruksion është ndërhyrje rrënjësore që nuk është bërë që prej dhjetëra vitesh. Kjo sfidë vjen edhe për faktin se parlamentet janë institucionet që konsiderohen në të gjithë botën si pjesë shumë e rëndësishme e imazhit të një vendi. Përmes një pune të pabesueshme, në një kohë rekord, po rikonstruktohet gjithçka që ishte krejtësisht e amortizuar. Janë kryer qindra metra kub gërmime e suvatime në mjediset e sallës. Është punuar 24 orë në 24 dhe shpeshherë janë hasur edhe vështirësi të mëdha dhe pengesa të papritura gjatë punimeve. Veçanërisht një punë e madhe është realizuar edhe në tunelet poshtë sallës së seancave. Krahas punës për rikonstruksionin e sallës janë kryer edhe shumë punime të tjera për krijimin e mjediseve të ndryshme brenda godinës për gazetarët, deputetët e të ftuarit. Një punë rrënjësore është bërë në zyra, korridore e salla. Po rikonstruktohen të gjitha lozhat, lozha e gazetarëve, si dhe mjedise të reja që i shërbejnë punës së deputetëve. Tavani i vjetër prej 450 m2 është shembur për t’u zëvendësuar me një të ri, i cili do të ketë një ndriçim të ftohtë, nga më cilësorët. Ky ndriçim është një risi jo vetëm për cilësinë, por edhe për faktin se do të kursejë 40% të energjisë që harxhohej më parë. Po realizohet zëvendësimi total i dyshemesë së vjetër dhe është ndërtuar një dysheme e re. Po bëhet një rikonceptim i ri i internetit të sallës. Po riinstalohet dhe rikonfigurohet nga e para i gjithë sistemi elektronik. Po ashtu edhe sistemi elektrik i amortizuar po zëvendësohet me një sistem nga më bashkëkohorët. Sipas Kuvendit, ky rikostruksion ishte një domosdoshmëri përderisa në mbi 60 vjet nuk ishte bërë një ndërhyrje e tillë që do t’i japë parlamentit një imazh të ri prestigjioz.

1 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›