E Diel, 1 Nëntor 2026

Portofolat ministrorë që nuk do të preken nga ndryshimet në qeveri



Me shtimin e zërave për ndryshime në qeveri, burimet bëjnë të ditur se Partia për Drejtësisë dhe Unitet ka kërkuar një portofol të rëndësishëm qeveritar, por edhe republikanët kanë shprehur pakënaqësi për përfaqësimin aktual në qeveri. Bëhet e ditur se shtatë janë ministritë që nuk do të ndryshojnë titullarë, ndërsa pjesa tjetër pritet të jetë pjesë e diskutimeve mes palëve. Burimet kanë bërë të ditur se me afrimin e sesionit të ri parlamentar, ku midis të tjerash do të nisin bisedimet konkrete për ndryshimin e qeverisë, pritet që pjesë e këtyre bisedimeve të mos jenë pikërisht ata portofola ministrorë që cilësohen parësorë për qeverinë. Kështu, nuk pritet të ketë lëvizje titullarësh në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Ministrinë e Financave, në Ministrinë e Transporteve, në Ministrinë e Drejtësisë, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në atë të Inovacionit. Ndërsa pjesa tjetër e dikastereve ministrore do të shtrohet në listën e diskutimeve mes aleatëve të rinj dhe të vjetër, por edhe për të kënaqur ndonjë figurë brenda Partisë Demokratike.
Kërkesat
Burimet brenda PDU-së kanë bërë të ditur se kjo parti do të kërkojë të përfaqësohet në qeveri me një portofol ministror dhe me dy poste zëvendësministrash. Sipas burimeve, PDU-ja do të kërkojë një ministri mjaft të rëndësishme dhe të lakmuar, siç është ajo e Ekonomisë dhe Energjetikes. Por aktualisht kjo ministri drejtohet nga deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Dritan Prifti, i cili ka luajtur një rol domethënës edhe në bashkëpunimin mes LSI-së dhe PD-së në krijimin e qeverisë pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndaj, ende nuk dihet se si do të veprohet ndaj kësaj kërkese të PDU-së. Sipas burimeve, projekti është që PDU-së t’i jepet drejtimi i Ministrisë së Mjedisit, duke sjellë një ndryshim të përfaqësimit të Partisë Republikane. Kjo edhe për faktin se republikanët kanë shprehur pakënaqësi me përfaqësimin e tyre në qeveri, ndërkohë që nuk kanë bërë të ditur preferencat e tyre. Por, bëhet e ditur se Mediu mund të marrë në duar drejtimin e Ministrisë së Integrimit, ose mund të ketë një rokadë mes tij dhe Genc Rulit; që do të thotë që Mediu mund të marrë drejtimin e dikasterit të Bujqësisë dhe Ruli drejtimin e Ministrisë së Integrimit.
Skema “Olldashi”
Burimet bëjnë të ditur se ekziston një skemë për ndryshime në qeveri në prag të zgjedhjeve të ardhshme lokale. Kjo skemë do të jetë e ngjashme me atë që u ndoq në rastin e kandidimit të Sokol Olldashit për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Ashtu sikurse përflitet brenda radhëve të PD-së, deri tani kandidat potencial për Bashkinë e Tiranës është ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Jo më kot kreu i qeverisë nuk i ka dhënë Bashës portofolat më të rëndësishëm të qeverisë. Fillimisht ai drejtoi Ministrinë e Transporteve, më pas Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe aktualisht Ministrinë e Brendshme, nga e cila varet i gjithë pushteti vendor. Në këtë post kyç Basha tashmë ka marrë informacionin e duhur për pushtetin vendor dhe eksperiencën për të njohur problematikat e tij. Në këtë mënyrë ai pritet të jetë kandidati i PD-së për zgjedhjet vendore dhe pritet që të japë dorëheqjen vetëm pak kohë para nisjes së fushatës elektorale, duke sjellë një ndryshim të ri në kabinetin qeveritar.

1 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›