E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmi ndaj autobusit shqiptar, pistat e hetimit nga policia greke



ATHINË - Policia greke thotë se po heton rreth incidentit të shënuar mesnatën e së dielës, kur një autobus me targa shqiptare u sulmua me bomba molotov në Greqinë Perëndimore. Njoftohet se polica po ndjek disa pista hetimi, përfshirë versionin se sulmuesit kujtonin se autobusi mbartte tifozë të një ekipi grek, apo edhe mundësinë që sulmi të ketë pasur motive nacionaliste. Autobusi me targa të Sarandës, pronë e një kompanie private, nuk kishte pasagjerë dhe po kthehej në atdhe nga Athina. Nga hedhja e bombave molotov dhe gurëve u thye xhami i përparmë, disa anësorë, por edhe ndenjëse. Zjarri u përhap edhe në një sipërfaqe përreth rrugës, por u shua para se të merrte përmasa kërcënuese. Drejtuesi i mjetit, që reagoi në mënyrë të shpejtë, nuk ka pësuar lëndime. Ngjarja ndodhi mesnatën e së dielës, duke u gdhirë e hënë, në kilometrin e 44-t të rrugës nacionale Antirio-Janinë, në zonën e Mesolongjit, në Greqinë Perëndimore. Sipas medias greke, që citon burime të policisë, nuk përjashtohet që autobusit t’i kishin bërë pritë, me mendimin se transportonte tifozë të ekipit të futbollit të Korfuzit që po ktheheshin nga ndeshja e ekipit të tyre kundër AEK-ut të Athinës, për superligën greke, që u zhvillua në qytetin e Patras, rreth 50 kilometra nga vendngjarja. Por, nga ana tjetër, askush nuk mund të përjashtojë edhe që sulmi të ketë pasur motive nacionaliste, si një reagim ndaj incidentit të ndodhur në Himarë, para tri javësh, ku humbi jetën një i ri vendas, incident që pala greke thotë se kishte motive etnike. Burime nga Drejtoria policore e Greqisë thanë për BBC-në se nuk mund të komentonin asnjë version dhe se po shqyrtohen të gjithë skenarët lidhur me motivet e sulmit, ndërkohë që si autorë të tij po kërkohen të paktën dy persona. Kjo është hera e dytë që autobusë shqiptarë bien pre e sulmeve në territorin grek.
Në fillim të korrikut, persona me maska kishin mësyrë në një restorant ku po pushonin pasagjerët e tre autobusëve që po udhëtonin drejt Shqipërisë. Ata kishin hapur zjarr, me ç’rast ishin plagosur tre emigrantë shqiptarë. Autorët, që mendohet se kishin mësyrë me qëllim për të grabitur, u larguan dhe ende nuk ka ndonjë njoftim për gjetjen dhe kapjen e tyre.

1 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›