E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen makinat e policive që nuk kanë dokumente të rregullta



TIRANË - Nga dita e sotme, asnjë efektiv policie nuk do të mund të udhëtojë më me makinë pa dokumente. Kjo pasi është lëshuar një urdhër nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Në urdhër shkruhet se, që nga data 1 shtator asnjë makinë pa dokumente në pronësi të 9500 efektivëve blu, nuk do të udhëtojë por do të sekuestrohet menjëherë. Urdhri u është dhënë në muajin gusht drejtorive të policisë, me qëllim që ata të përgatitin të gjithë dokumentacionin përkatës mbi mjetin që kanë në posedim. Urdhri u është dërguar të gjitha strukturave të policisë për njohje, ndërsa për zbatim i është kaluar Patrullës së Përgjithshme në të gjitha qarqet dhe Qarkullimit Rrugor.
Urdhri
Nga dita e sotme, të gjithë punonjësit e policisë, të cilët nuk kanë dokumentacion të rregullt të mjeteve të tyre janë tmerruar pasi radha ka ardhur tek ata për të qenë objekt i punës së Policisë Rrugore. Urdhri i dalë nga kreu i Policisë ka të bëjë pikërisht me mjetet e tyre. Në të cilësohet se punonjësit e policisë, të cilët nuk kanë dokumentacion të rregullt për mjetet e tyre, duhet të pajisen me këto letra para datës 1 shtator. Nëse nuk realizohet kjo detyrë, atëherë makinat e tyre do të sekuestrohen. Sipas të dhënave, Burgaj ka shtuar se detyra për kontrollin e zbatimit të këtij urdhri i ngarkohet Patrullës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Policisë Rrugore. Punonjësit e këtyre dy strukturave duhet të ndalojnë çdo mjet që qarkullon me targa të huaja dhe pavarësisht se ata mund të prezantohen si kolegë të tyre, nëse nuk kanë dokumentacion të rregullt për makinat, atëherë ato do të sekuestrohen dhe do të ndiqet procedura ligjore si për të gjithë shtetasit e tjerë.
Reagimet
Asnjë punonjës policie nuk e ka pritur mirë këtë urdhër, pavarësisht se shprehen se ligji është i barabartë për të gjithë. Ata janë shprehur se shpeshherë mjetet e tyre janë përdorur për arsye pune, pasi policia nuk u ka plotësuar asnjë kusht. Sipas tyre, makinat e tyre personale, që në të shumtën e rasteve janë me targa të huaja, përdoren që nga thirrjet urgjente për t’u paraqitur në detyrë, vëzhgimi i kontingjentit kriminal në terren, ndjekja e personave apo grupeve të ndryshme kriminale, e deri te dërgimi në banesë të efektivave që banojnë larg vendit të punës. Të gjitha këto detyrime, sipas ligjeve në fuqi, duhet të plotësohen nga buxheti i policisë. Por, efektivët e policisë shprehen se siç ndodh rëndom në këtë vend, kërkohet vetëm vjelja e taksave dhe nuk kujtohet asnjë për vënien në dispozicion të shërbimeve të fituara me ligj.
Kodi rrugor
Sipas Kodit Rrugor, të gjitha mjetet që qarkullojnë në territorin shqiptar duhet të jenë të pajisura me dokumentacion të rregullt, që nga zhdoganimi, pagimi i taksave dhe pajisja me targa të vendit tonë. Një fakt i tillë nuk është vërejtur në radhët e policisë. Madje, shkak i këtij urdhri janë bërë ankesat e shumta të qytetarëve, që janë drejtuar në institucionin e policisë. Shpeshherë qytetarët janë përballur me patrulla policie që përdornin mjete me targa të huaja dhe jo mjete policie dhe, nga ana tjetër, kërkonin zbatimin e Kodit Rrugor nga ana e tyre. Sipas të dhënave, ky absurditet ka e shtyrë kreun e Policisë të lëshojë një urdhër të tillë.

1 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›