E Diel, 1 Nëntor 2026

Nën hetim tre punonjës tatimorë, bllokohen si të paregjistruara 24 lokale



ELBASAN - Dy punonjës tatimorë dhe përgjegjësi i Zyrës së Tatimeve të komunës Rrajcë janë vënë nën hetim nga policia pasi nuk kanë ushtruar funksionet e tyre dhe kanë lejuar disa biznese të veprojnë të lira dhe pa u regjistruar, duke i sjellë shtetit një dëm të konsiderueshëm ekonomik. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë gjatë ditës së djeshme se, si rezultat i një pune të mirëfilltë si dhe mbi bazë të informacioneve të marra nga ana e sektorit kundër krimit ekonomiko-financiar, ka përfunduar me sukses operacioni i koduar "Uji i pastër”. Ky operacion kishte si shënjestër të tij goditjen e fenomenit të mosregjistrimit të subjekteve që zhvillojnë aktivitet tregtar në rrugën nacionale Librazhd-Qafë Thanë. Gjatë kontrolleve të policisë, brenda 48 orëve ka rezultuar se mbi 24 subjekte private prej më shumë se 10 vitesh ushtronin aktivitete private të palicencuara, duke mos u regjistruar në organet tatimore. Për këtë arsye ka filluar procedim për përgjegjësin e zyrës së Tatimeve të komunës Rrajcë, 24-vjeçarit me inicialet A. T, banues në Librazhd. Ai akuzohet për veprën penale “moskryerja e detyrave ndaj organeve tatimore” dhe “shpërdorim detyre”. Policia tha se ky person, me mosveprimet e tij, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndikuar në mosregjistrimin e këtyre subjekteve private duke sjellë një dëm ekonomik të konsiderueshëm në buxhetin e komunës dhe të shtetit. Po kështu, gjatë këtij operacioni ka filluar hetimi edhe ndaj dy specialistëve në sektorin e verifikimit në terren në Drejtorinë e Tatim-Taksave në Elbasan. Nën hetim janë vënë, I. L., 47 vjeç, banues në Librazhd dhe 26-vjeçar me inicialet A. F., banues në Elbasan. Këta dy persona akuzohen për veprat penale të “moskryerjes së detyrave nga organet kompetente". Këta të dy, duke mos vepruar dhe mos ushtruar kompetencat që u njeh ligji për organet tatimore, kanë shkelur detyrën. Policia tha se në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, po vazhdon puna për hetimin e mëtejshëm të kësaj veprimtarie.

1 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›