E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli rrezikon PD-në

Tiranë - Deputeti demokrat Aleksandër Biberaj ka kritikuar sërish kryeparlamentaren Jozefina Topalli, duke e vlerësuar atë si një faktor që mund të ndikojë në humbjen e zgjedhjeve të qershorit nga mazhoranca e djathtë. Përmes një interviste, Biberaj ka kritikuar gjithashtu edhe mungesën e transparencës lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë degësh, pasi kryesia qendrore nuk është mbledhur për të diskutuar dhe selektuar kandidatët që vijnë nga baza, siç edhe e parashikon statuti.

“Ka një frenim të pashpjegueshëm të fushatës së zgjedhjeve në Tiranë, e cila duke pasur 32 deputetë në Parlamentin e ardhshëm, merr një rëndësi të jashtëzakonshme. Kjo, pasi Tirana përcakton edhe fituesin e zgjedhjeve të 28 qershorit, pra edhe qeverisjen e ardhshme. Nga përvoja 18 vjeçare e zgjedhjeve rezulton se kush ka fituar Tiranën ka fituar Shqipërinë. Para 4 vitesh premtuam se zgjedhjet e këtij viti në parti do të bëheshin me parimin “një anëtar, një votë”, gjë që deri tani nuk ka ndodhur.”, tha ai.

Duke komentuar sondazhin e Zogby International të para disa ditëve ku PS ishte forcë e parë politike me 39 përqind të të anketuarve kundrejt 34 për qind të PD-së, zoti Biberaj tha se “sondazhet nuk bëhen edhe aq për tu gjykuar, sesa për t’u lexuar. Nga leximi më rezulton se ne si PD duhet të bëjmë korrigjime, përmirësime dhe ndryshime të thella para zgjedhjeve më qëllim që t’i fitojmë zgjedhjet”.

Biberaj, komentoi gjithashtu edhe klanet e brendshme në Partinë Demokratike. “Sot në PD, përveç linjës zyrtare, fatkeqësisht ka edhe një linjë tjetër që përfaqësohet nga një grup i ngushtë individësh, të cilët dirigjohen nga kryetarja e parlamentit, dhe në shumë raste linja e këtij grupi etikohet si linjë zyrtare e PD-së. Ky grupim ka pikëpamje, filozofi dhe qëllime të ndryshme nga pikëpamjet, filozofia dhe qëllimet e PD-së, lidhet në bazë të interesave personale dhe është totalisht i shkëputur nga elektorati demokrat. Po t’i referohemi fjalorit të gjuhës shqipe, një grupim i tillë quhet “Sekt”. Siç dihet “Sekti” marrin emrin e liderit të tij, kështu që në rastin konkret kemi të bëjë me “Sektin Jozefinë”, ose “Sektin Topalli”. Ky “Sekt” që përfaqëson një pakicë në PD, ka si qëllim kryesor pushtetin absolut dhe pasurimin nëpërmjet tij. Për të realizuar qëllimet e veta, ky “Sekt” jo vetëm që po keqpërdor dhe abuzon me pushtetin që i është dhënë nga demokratët me 3 Korrik 2005, por po përdor edhe çdo mjet tjetër jo-demokratik, jo-institucional dhe jo-etik, si dhe një makineri të tërë shpifjesh, mashtrimesh, intrigash, prapaskenash, si dhe sulmesh të paprincipta, me qëllim likuidimin apo goditjen e cdo personi që nuk është anëtar apo shërbëtor i “Sektit”. Zakonisht “Sektet” dalin më vete me idiologjine e vet dhe shkëputen nga partia meme, por me “Sektin Jozefinë”, po vihet re një dukuri e pa parë më parë: transformimin e sektit në partinë mëmë. Që nga viti 2005, kur PD erdhi në pushtet dhe deri sot, ky “Sekt” është përpjekur të shtrijë rrjetin e vet gjithandej dhe tani po përpiqet të finalizojë strategjinë e vet, duke synuar të komandojë gjithkënd, gjithçka dhe gjithkund. Tani që jemi ne fushatën e zgjedhjeve të reja në PD, “Sekti” po përpiqet që të privatizojë partinë, duke synuar të vendosë ithtarët e vet gjithandej, gjë që do të përpiqet ta bëjë edhe me listën e deputetëve për zgjedhjet e 28 Qershorit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›