E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli sërish ftesë opozitës për të hyrë në Kuvend

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë një takimi të sotëm me raporterët e Këshillit të Evropës, David Wilshire dhe Jaakko Laakso, ripërsëriti ftesën që deputetët e opozitës të vijnë në parlament, pasi ky institucion është vendi i negociatave dhe konsensusit. "Deputetët e opozitës të vijnë e të zenë vendet e tyre në parlament pasi kjo është shumë e rëndësishme për vendin, sepse siç kemi provuar edhe më parë, parlamenti është vendi i negociatave dhe i konsensusit", u shpreh kryetarja Topalli. Gjatë takimit me zyrtarët e KE-së, që ndodhen në Tiranë për një vizitë dyditore, kryeparlamentarja i informoi ata për zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Ajo vlerësoi raportin e Këshillit të Europës, i cili thekson se "procesi zgjedhor në 93 % të qendrave të votimin u vlerësua mirë dhe shumë mirë" dhe se "zgjedhjet parlamentare shënuan një progres të dukshëm. "Kryetarja e Kuvendit tha se këto zgjedhje, edhe sipas raportit përfundimtar të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, u çertifikuan si "zgjedhje që plotësuan angazhimet kryesore të OSBE-së" dhe si zgjedhjet më të mirat që Shqipëria ka pasur, duke përmbushur synimin për plotësimin e standardeve. Më pas znj. Topalli dhe raporterët e KE-së biseduan mbi bashkëpunimin mes dy institucioneve dhe intensifikimin e shkëmbimit të përvojës mes delegacioneve, por edhe për mbështetjen e KE-së në rritjen e kapaciteteve administrative.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›