E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi - Stonestreet: Reforma zgjedhore të jetë gjithëpërfshirëse

TIRANË- Reforma zgjedhore dhe rekomandimet e Bashkimit Europian për integrimin e Shqipërisë kanë qenë temë kryesore e takimit të presidentit Topi me ekipin e ekspertëve të misionit të OSBE/ODIHR-it, të drejtuar nga kryetari i këtij Misioni, Xhonatan Stounstrit.

Duke vlerësuar rolin e misionit në Shqipëri, kreu i shtetit vuri në dukje se klasa politike shqiptare dhe institucionet e larta të shtetit kanë lexuar me vëmendje rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR-i dhe janë bashkuar në përfundimin se kryerja e reformës zgjedhore është një domosdoshmëri dhe një proces për realizimin me sukses të së cilit duhet patjetër rifillimi sa më parë i punës.

“Ky fakt thekson edhe një herë nevojën imediate që palët e përfshira në këtë proces, partitë politike e të gjithë aktorët institucionalë, të gjejnë rrugët e komunikimit në mënyrë që të mundësohet një bashkëpunim konstruktiv dhe i përgjegjshëm për të rifituar kohën e humbur dhe për të finalizuar këtë reformë, e cila do i garantojë qytetarëve dhe votuesve shqiptarë zgjedhje të lira, të ndershme dhe sipas standardet demokratike”, - u shpreh Topi.

Nga ana e tij shefi i misionit te OSBE/ODIHR vleresoi rolin ekuilibrues të kreut të Shtetit si simbol i unitetit të popullit, dhe në vijim vuri në dukje nevojën e nisjes sa më parë nga puna të reformës zgjedhore ku OSBE/ODIHR-it do të ofrojë jo vetëm rekomandimet dhe vërejtjet e veta, por edhe ndihmesën e përvojën e vet të efektshme.

“Ky proces reformimi ligjor duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës, në mënyrë që gabimet dhe të metat e vëna re gjatë zgjedhjeve të shkuara, të mos përsëriten më duke rritur nivelin e demokracisë shqiptare dhe institucionit të zgjedhjeve”, theksoi Stonestreet.
(e.m/BalkaWeb)
Lidhje te tjera Stonestreet: Nisni reformën zgjedhore, por mos u nxitoni

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›