Topi Lohan, bisedime për reformën në drejtësi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë Ambasadorin e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan me të cilin zhvilloi një takim pune.
Kreu i shtetit dhe Ambasadori Lohan diskutuan dhe shkëmbyen pikëpamje rreth situatës politike në vend, reformave të ndërmarra, forcimit të shtetit ligjor dhe të institucioneve demokratike të pavarura, ndarjes dhe ekuilibrimit të pushteteve si edhe ruajtjes e përmbushjes së standardeve të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane.
Ambasadori Lohan, në kuadër të përpilimit të Raportit vjetor të Përparimit të Shqipërisë, u informua dhe shkëmbeu mendime me Presidentin Topi rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, reformës në sistemin e drejtësisë dhe atë zgjedhore, procedurave ligjore të emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe ligjit të legalizimeve.