Trafikimi njerëzor, debate në parlament për raportin e DASH
Shqipëria është bërë burim i trafikut të qenieve njerëzore. Ky ka qenë shqetësimi i ngritur sot në kuvend nga deputetët e opozitës. “Qeveria ka vënë Shqipërinë në listën e vendeve nën vëzhgim njësoj me Çadin ku do të niset trupat javën tjetër” – tha deputeti socialist Erjon Braçe. Sipas tij diskutimi i trafiqeve është bërë edhe vitin e kaluar në të njëjtën kohë dhe kryeministri ka premtuar se do ti jepet fund kësaj praktike, por raporti më i ri tregon të kundërtën.
Edhe deputeti tjetër i PS-së, Taulant Balla ka ngritur po të njëjtin shqetësim. “Qeveria trumbeton çdo ditë se shqiptarët do të lëvizin në Europë pa viza pasi Shqipëria është më e sigurtë, ndërkohë që raportet që vijnë nga ndërkombëtarët tregojnë të kundërtën. Si mundet të liberalizohen vizat kur raportet tregojnë se Shqipëria është bërë burim i trafikut të qenieve njerëzore?”- u shpreh Balla.
Po të njëjtin shqetësim ka ngritur edhe deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi. “Në vitin 2002, Shqipëria ishte tranzit për trafikun nderkombetar ndërkohë që sot është bërë burim i tij” – tha Neranxi.
Ndërkohë deputetë të PD-së janë shprehur se Shqipëria po lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe nuk është e vërtetë që raportet janë përkeqësuar. Sipas tyre sot Shqipëria është më e sigurtë se kurrë.
Ndërkohë deputeti i PS-së, Arben Malaj është shprehur se Shqipëria ka përkeqësim të raporteve pasi Shqiperia eshte ne krize institucionale, më e rënda që prej vitit 1992. Sipas tij që prej 2 majit deri në 5 qershor janë bllokuar të gjitha dekretet e presidentit dhe kjo gjë ka lënë gjykatën e lartë të vendit pa kryetar dhe pa 7 anëtarë.
Malaj ka akuzuar kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli se po merr dispozitat e kryeprokurores duke nxitur kriza institucionale.
“Është e pabesueshme që pas një përvoje të gjatë të drejtoni parlamentin duke dorëzuar shtetin ligjor me tiraninë tuaj. Ju kërcënoni këta deputet kur jeni zgjedhur nga ata. Deputetët kanë frikë nga cinizmi dhe tirania që ju personalisht drejtoni ndaj institucioneve të demokracisë së këtij vendi” – përfundoi Malaj.
“Vlerësimet e trafikut bëjnë me turp. Katër vjet më parë në raportet ndërkombëtare Shqipëria kaloi nga shkalla e tretë në të dytën për trafikun e qenieve njerëzore, ndërkohë që sot po renditet ndër vendet e burimit të trafikut të qenieve njerëzore”- ka vazhduar diskutimin deputetja e PS-së, Valentina Leskaj.
“Ministri i mbrojtjes Bujar Nishani u përpoq të sillte ca pseudoargumenta për të thënë se raporti është përkeqësuar por unë mund tju them se Shqipëria ska qenë asnjëherë vend origjine për trafikun e qenieve njerëzore, por është kthyer tani në mungesë të shtetit ligjor dhe demokratik”- vazhdoi Leskaj.
“Dje raporti e quan të dështuar qeverinë Shqiptare sa i përket luftës ndaj këtij trafiku. Raporte të rënda kanë ardhur nga BE, nga CIA, BB dhe së fundi nga Prokuroria e Përgjithshme. Asnjëherë ska pasur një situatë të tillë. Është sinjal alarmi edhe për parlamentin. Kjo tregon se qeveria nuk kanë vullnet për të luftuar as trafikun as korrupsionin”- ka përfunduar Leskaj.
RAPORTI nga Departamentit Amerikan i Shtetit
“Shqipëria, hapa prapa në trafikun e qenieve njerëzore”
TIRANË- Shqipëria ka shënuar hapa pas në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore. Edhe pse tashmë vendi ynë nuk konsiderohet më vend kryesor origjine apo tranziti për trafikun e qenieve njerëzore, lufta e dobët e qeverisë për të parandaluar trafikun ka bërë që Shqipëria të shënojë hapa pas. Ky është ekstrakti i raportit më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikun e qenieve njerëzore. Raporti është publikuar mesditën e djeshme dhe bën një përmbledhje të përpjekjeve të 170 vendeve të botës për të luftuar format më të rënda të këtij trafikimi. Në kategorinë e parë renditen vendet me më pak probleme trafikimi, në kategorinë e dytë ato që kanë shënuar përmirësim por nuk i kanë arritur plotësisht standardet, ndërsa në kategorinë e tretë hyjnë vendet ku ky fenomen është më i theksuar. Por këtë vit Shqipëria ka rënë nën nivelin e vitit 2002. Për 6 vjet me radhë, vendi ynë renditej në kategorinë e dytë, ndërsa këtë vit është përfshirë në listën e vendeve nën vëzhgim të kësaj kategorie.
Statusi
“Shqipëria është një vend origjine të trafikut të qenieve njerëzore por nuk konsiderohet më si vend tranziti. Viktimat shqiptare trafikohen në Greqi, Itali, Maqedoni dhe Kosovë. Edhe fëmijët e mitur janë trafikuar në këto vende dhe përdoren për punë të zezë. Për tu shënuar është rritja e trafikut të brendshëm të fëmijëve dhe femrave që përdoren për qëllime seksuale”,- thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Sipas tij, qeveria shqiptare nuk ka plotësuar as standardet më minimale për eliminimin e trafikut. “Qeveria shqiptare nuk ka identifikuar ashtu siç duhet viktimat e trafikut gjatë vitit 2007. Ajo nuk ka treguar as gatishmëri për hetimin e zyrtarëve të implikuar. Rekomandimet tona janë që të hetojë e procedojë penalisht trafikantët e qenieve njerëzore si dhe zyrtarët e rendit që janë të implikuar në të. Këta persona duhet të dënohen me vendim gjykate”,- thuhet në raport.
Ndjekja penale
Sipas raportit, qeveria shqiptare nuk ka treguar prova bindëse në luftën kundër trafikut gjatë vitit 2007. “Kodi Penal shqiptar ka dënime shumë të ashpra për trafikantët e qenieve njerëzore dhe gjatë një viti janë proceduar për këtë vepër 49 raste. Nga këto janë dënuar vetëm shtatë. Gjatë periudhës së mbuluar, policia ka vazhduar të jetë shumë pak e trajnuar në lidhje me trafikimin. Ajo nuk ka as mjetet e duhura për të bërë një gjë të tillë ndërsa pengohet edhe nga korrupsioni dhe lëvizjet e shpeshta në polici. Gjatë këtij viti janë kryer vetëm trajnime për gjyqtarë dhe prokurorë e jo për policët”,- thuhet në raport.
Mbrojtja
“Qeveria shqiptare ka dyshuar në mbrojtjen e viktimave të trafikut gjatë vitit 2007. Edhe furnizimi me fonde për këtë proces është shumë i kufizuar”,- thuhet në raport. Sipas tij, në vitin 2007 qeveria shqiptare identifikoi vetëm 13 vajza dhe shtatë fëmijë që ishin shfrytëzuar për trafik. Kjo është 20 për qind ulje në krahasim me raportin e një viti më parë. “Sipas qeverisë shqiptare, autoritetet identifikojnë si viktima të trafikut vetëm ato që identifikojnë veten e tyre me dëshirë si të tilla. Por për të njëjtën kohë OQJ-të kanë raportuar 146 viktima të trafikut”,- thuhet në raport. Një tjetër problem i identifikuar është ai i zyrës për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave. “Provat tregojnë se sistemi është i pa efektshëm për viktimat e trafikut. Shumë viktima fëmijë, të cilët janë trafikuar nga prindërit e tyre, janë rikthyer sërish nga shteti tek po ata prindër në vend që të mbahen në qendra të veçanta”,- pohohet në raport.
PARANDALIMI
“Qeveria shqiptare ka vënë në zbatim disa strategji antitrafikimi por ka lejuar që programi kombëtar të përfundojë. Ministria e Brendshme dhe ajo e Arsimit kanë bërë hapa përpara në parandalimin e trafikut. Por qeveria shqiptare nuk ka dhënë prova që po bën përpjekje për të parandaluar trupat e dërguar me mision jashtë vendit nga implikimi në çështje të trafikut të qenieve njerëzore”,- thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Sipas tij, një hap përpara është bërë në vendosjen e posterave në pikat kufitare që këshillojnë të huajt se marrëdhëniet seksuale me fëmijët në Shqipëri janë krim.
BASHKËPUNIMI
Raporti thekson mungesën e shërbimeve ri-integruese dhe rehabilituese, të cilat mbeten kritike për parandalimin e trafikimit të përsëritur të shtetasve shqiptarë. Ministria e Brendshme e Shqipërisë, thotë raporti, ka marrë përsipër financimin e linjës së hapur telefonike për viktimat apo ata që rrezikohen nga trafikimi. Ministria e Arsimit ndërkohë ka përfshirë në programin e vet arsimor rritjen e ndërgjegjësimit të nxënësve në shkolla. Megjithatë, Shqipëria ende vazhdon të mbështetet tek organizatat joqeveritare dhe bashkëpunimi me ta është përmirësuar gjatë vitit të fundit.