E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: 2009-ta të sjellë zgjedhje të lira

Presidenti Bamir Topi u ka uruar Vitin e Ri të gjithë shqiptarëve, për një vit të mbarë dhe të begatë. Topi ka falenderuar shqiptarët për mbështetjen dhe ka premtuar se do të përmbushë detyrimin për të qenë gjithmonë pranë tyre. "Gjatë vitit 2008 përjetuam së bashku emocionet dhe gëzimet e dy ngjarjeve të mëdha historike për kombin tonë: Pavarësinë e Kosovës dhe ftesën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO", u shpreh presidenti. Duke iu referuar tragjedisë së Gërdecit, Topi deklaroi se "Uroj që ngjarje tragjike si ajo e Gërdecit e fatkeqësi të tjera njerëzore, apo natyrore dhe fenomene negative të mbeten vetëm kujtime dhe mësime të një viti që po largohet". Topi e konsideroi 2009-ën si vitin e sfidave të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët. Topi vlerësoi si moment historik për vitin që lamë pas, anëtarësimi me të drejta të plota në NATO. Presidenti i vendit ka bërë edhe një herë thirrje për zgjedhje të lira dhe të ndershme në 2009-ën. "Vota e lirë dhe zgjedhjet e pakontestuara janë themelet dhe parimet e botës së qytetëruar", u shpreh ai. Topi përfundon urimin e tij duke u shprehur " Për një Vit të Ri të bukur për Shqipërinë e shqiptarët, të dashur, të begatë, të rëndësishëm, të suksesshëm, realizim të ëndrrave dhe dëshirave, simbol të vlerave dhe të lirisë, vjen urimi im në këtë ndërrim vitesh".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›