Berisha uron shqiptarët për një vit të mbarë dhe me begati

Kryemnistri Berisha ka uruar të gjithë shqiptarët për Vitin e Ri 2009-të, për një vit të mbarë me mirëkuptim dhe begati. Nëpërmjet një deklarate për shtyp Berisha ka uruar një vit "plot gëzime, shëndet, mbarësi dhe suksese për gjithë shqiptarët". Berisha deklaroi se "Viti 2008-të për shqiptarët ishte viti i tyre sepse ketë vit ne shndërruam në realitet ëndrrën e madhe kombëtare të pavarësisë se Kosovës, ndaj dhe ne gjithmonë do ta mbajmë mend dhe nderojmë atë si vitin e lirisë dhe dinjitetit tonë kombëtar". Berisha e cilësoi 2008-ën vit historik për shqiptarët pasi në tre prill të këtij viti, në Samitin e Bukureshtit, u mor ftesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. "Viti 2008 ishte mik i vërtetë dhe i çmuar për çdo shqiptar sepse ai u çel me një konsensus të gjerë për reformat e mëdha kushtetuese, ligjore, që vendosën pushtetin legjislativ, gjyqësor, presidencën, ekzekutivin, sistemin zgjedhor, në baza të reja kushtetuese dhe ligjore moderne", shtoi ai."Duke përmendur meritat që bëjnë vitin 2008-të të paharrueshëm për shqiptarët, unë sonte dua t'ju drejtohem me një urim të veçantë të gjitha familjeve apo qytetarëve që gjatë vitit 2008-të kanë përjetuar dhimbje të thella sepse kanë humbur njerëzit e tyre të dashur, apo janë përballur me papunësi, skamje, sëmundje dhe halle të tjera. Unë uroj që viti 2009-të të mbushë me gëzime shpirtin, zemrat dhe vatrat e tyre", përfundon urimi i kryeministrit Berisha për këtë Vit të Ri.