E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi “paraqet” Shqipërinë në Konf. e Liderëve në Stamboll

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, në ligjëratën me temë: “Transformimi i Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në 20 vitet e fundit në drejtim të zhvillimeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit në fushat arsimore dhe kulturore me Shqipërinë”, vuri në dukje “problemet dhe arritjet e transformimit demokratik të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit të Evropës Juglindore”.

Në këtë aspekt, Presidenti Topi nënvizoi se “vende që deri dy dekada më parë jetonin në izolim politik dhe ekonomik, vende që vetëm një dekadë më parë iu dhanë fund luftërave etnike dhe nacionaliste, dhe që sot në pjesën më të madhe të tyre janë anëtare në NATO apo pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, - mbartin në vetvete simbolikën e ndryshimit historik, transformimit të jashtëzakonshëm, sidomos në aspektin politik dhe shoqëror”.

Duke vijuar në këtë temë dhe duke evidentuar faktin se për Shqipërinë dhe shqiptarët ka patur “një model të veçantë transformimesh”, Presidenti Topi u shpreh se “në dallim nga ish-Jugosllavia dhe vendet e tjera ballkanike Shqipëria ishte përjashtim: një vend tërësisht i izoluar, ku ndalohej me Kushtetutë shkëmbimi ekonomik me jashtë, besimi në Zot dhe lëvizja jashtë kufijve shtetërorë. Në fillim të proceseve demokratike, - theksoi më tej Kreu i Shtetit, - etja e madhe për ndryshim e reforma ndeshej me mungesën e projekteve të qarta, stafit të kualifikuar dhe modelit referues edhe në rajon”.

Teksa ka vënë theksin tek progresi i dukshme të Shqipërisë në dy dekadat e fundit, në politikën e brendshme dhe objektivat e saj në politikën e jashtme, me anëtarësimin në NATO dhe me aspiratën për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Presidenti Topi vuri në pah se “Shqipëria ka raporte politike aktive, marrëdhënie ekonomike dhe klimë miqësore bashkëpunimi me të gjitha vendet ballkanike” dhe se “pavarësisht problemeve që shfaqen në procesin e konsolidimit politik, në tërësi kemi një ndryshim radikal pozitiv në rritjen e kulturës politike, pjesëmarrjes qytetare si dhe forcimit të shtetit të së drejtës dhe të institucioneve të pavarura kushtetuese”.

Gjithashtu, Presidenti Topi nxori në pah zhvillimet pozitive të vendeve të tjera të rajonit, duke u ndalur veçanërisht tek Kosova, e cila edhe pse është shteti më i ri në rajon, “ka shënuar progres të jashtëzakonshëm në funksionimin e saj demokratik dhe kontributin në stabilitetin rajonal”, dhe se “Shqipëria krenohet me suksesin e Kosovës, dhe çmon me kënaqësi se pavarësia e saj e ka bërë rajonin më të sigurt dhe ritmet e zhvillimit më të mëdha”.

 Në fund të ligjëratës, Presidenti Topi, duke shprehur “interesin dhe gatishmërinë e Shqipërisë për të qenë aktive në nisma e projekte konkrete bashkëpunimi në të gjitha aspektet e bashkëpunimit kulturor e arsimor”, vlerësoi “frymën e veçantë të miqësisë historike dhe partneritetin strategjik me Turqinë, si një vend mik, me lidhje të forta historike dhe aktuale, një vend dhe një popull tek i cili kemi gjetur e gjejmë përherë një mik të madh e të sinqertë të popullit dhe të kombit shqiptar”. Gjatë qëndrimit atje, Topi u dekorua edhe me titullin “Dr. Honoris Causa” të Shkencave Politike nga Kryetari i Bordit Drejtues të Universitetit “Ajdën”, dhe njëkohësisht President i Unionit të Universiteteve Euroaziatike (EURAS), Dr. Mustafa Ajdën. /Start/

                                                                                             2012-03-16 08:50
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›