Topi: Asnjë shans për ndarjen e Kosovës
Bashkëpunim dhe marrëdhënie shumë të mira mes dy vendeve kanë theksuar në fjalën e tyre Presidenti Bamir Topi dhe homologu i tij maqedonas, Branko Cervenkovski, pas takimit dy palësh të zhvilluar pak më parë në Durrës.
Ndërkohë presidenti shqiptar ka theksuar se nuk do të ketë asnjë shans për ndarjen e Kosovës, e cila është tashmë një realitet i ri në rajon.
“Njohja e Kosovës nuk është vetëm në planin politik, por tani po ndihmohet ekonomikisht. Mirënjohje për lidershipin kosovar dhe inkurajimin e misionit të tyre.
Kosova është projektur si shtet i ri integral, ku në mënyrë absolute nuk do të ketë asnjë shans për ndarje të saj, jo ndërtim institucionesh mbi baza etnike sikurse mendohet nga qarqet ultranacionaliste të realizohet në komunat me shumicë serbe”- tha Topi, duke shtuar se beson në misionin e Ban Ki Moon dhe planin e tij për rikonfigurimin e UNMIKUT.
Ai ka uruar që së shpejti edhe Maqedonia të marrë ftesën për në Nato dhe të zgjidhje cështjen e emrit, duke theksuar se në këtë pikë nga ana shqiptare nuk do të ketë asnjë interferencë.
Për marrëdhëniet e mira mes palëve ka folur edhe homologu Cervenkovski.
“Kënaqësi për vijimin e takimeve periodike të punës. Theksoj bashkëpunime në nivele shumë të mira e në dobi të dy vendeve, arsim, kulturë por edhe në fushën ekonomike”- tha ai, duke shtuar se marrëdhëniet shënojnë rritje nga viti në vit.
“Një pjesë të madhe të bisedës ia kushtuam bashkëpunimit në fushën e energjetikës. Folëm për ndërtimin e një korridori 400 voltësh, por edhe për bashkëpunimin në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike”- tha ai, duke uruar shqiptarërt për pranimin në NATO.
Cervenkovski viziton Amfiteatrin e Durresit Tiranë- Presidenti i Maqedonisë Branko Cervenkovski, që ndodhet në Shqipëri me ftesë të homologut të tij shqiptar, Bamir Topi, vizitoi sot amfiteatrin antik të Durrësit. Në këtë vizitë ai shprehu konsideratat për vlerat e monumentit me moshë mbi 3000 vjeçare.
Presidenti Cervenkovski dhe delegacioni që ai drejton e nisën vizitën zyrtare në Shqipëri me njohjen e vlerave historike dhe arkeologjike të monumentit më të madh në vendin tonë. Ata u shoqëruan në këtë vizitë nga Prefekti i Qarkut të Durrësit, Klodian Pajuni dhe kryebashkiaku Vangjush Dako.
Më pas delegacioni maqedonas i kryesuar nga Presidenti Cervenkovski ka vizituar Muzeun Arkeologjik.
Cervenkovski mbërriti pasditen e djeshme në Shqipëri me ftesë të Presidentit Bamir Topi. Ai do të zhvillojë në orën 10:30-11:00 një takim kokë më kokë me Presidentin Topi po në Durrës dhe më pas bisedime zyrtare me dy delegacione.
Në përfundim Presidenti maqedonas dhe homologu i tij shqiptar do të japin një konference të përbashkët për shtyp për mediat.