E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Do zgjidhim çështjet e papërfunduara për shqiptarët"

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi se partia e tij brenda mandatit katër vjeçar do të zgjidh çështjet e papërfunduara për shqiptarët në Maqedoni.

“Ne kemi dalë shumë hapur përpara elektoratit shqiptar, me një program mjaft të begatë, qoftë në aspektin kombëtar, qoftë në aspektin e zhvillimit ekonomik, dhe mendojmë që për këto cështje që ne i kemi paraqitur përpara shqiptarëve të Maqedonisë, kemi kapacitet njerëzor, dije, ekspertë të fushave të ndryshme, që t’iu dalim për zot këtyre çështjeve”, tha Ahmeti në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ahmeti tha se BDI aktualisht do të drejtojë 5 ministri në qeverinë e Maqedonisë, një zëvendës kryeministër në kabinetin Gruevski , tre zëvendësministra, sekretarë shteti, si dhe disa drejtori mjaft të rëndësishme në Republikën e Maqedonisë.

Ai u shpreh i bindur se brenda këtij mandati, do të zgjidhen çështjet që akoma nuk kanë përfunduar për shqiptarët.

“Besojmë që brenda këtij mandati, do të zgjidhen çështje që akoma nuk kanë përfunduar, akoma nuk kanë gjetur zgjidhje, siç është gjuha shqipe, që duhet të jetë një zgjidhje e pranueshme për shqiptarët e Maqedonisë, konform kushtetutës së Maqedonisë dhe Marrëveshjes së Ohrit; gjithashtu, edhe zgjidhja e statusit të njerëzve të dëmtuar nga lufta e vitit 2001, duke u bazuar në ligjet e vendit; si dhe shumë çështje që lidhen me ekonominë e vendit si dhe me infrastrukturën, për të cilat ne do të japim një kontribut aktiv, dhe do të jemi pjesë e zgjidhjes së problemeve të shumta, me të cilat ballafaqohen qytetarët e Maqedonisë”, tha Ahmeti. (INA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›