E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: BE qëndrim të diferencuar për vizat

“Unë besoj që nuk ka çështje politike. Nuk ka çështje mosbesimi, ka vetëm çështje teknikaliteti që kanë të bëjnë edhe me situatat e formatimit të strukturave që dalin nga zgjedhjet parlamentare të disa vendeve të Evropës, sikurse është rikonfigurimi i parlamentit gjerman.  Ne praktikisht jemi në një rrugë të mbarë dhe kemi detyra për të realizuar. Një nga mbështetjet e forta që kemi gëzuar, ka qenë mbështetja sllovene, gjë që unë kam patur rastin ta shpreh sot. Kështu që në ditët që do të vinë dhe hapat e tjerë janë sinjifikativë”, tha kreu i shtetit shqiptar.

Topi tha më tej, se BE-ja kërkon luftë pa kompromis kundër korrupsionit, i cili-sipas kreut të shtetit- është ende i pranishëm. Ai tha gjithashtu se ka ende për të bërë, duke përmendur këtu një reformim të sistemit të drejtësi. “Unë mendoj që Shqipëria ka bërë një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar. Shumë banda kriminale sot janë para drejtësisë. Kjo betejë është e përditshme”, theksoi Topi.

Për sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, Topi tha se shpresonte që Bashkimi Evropian të mbante një qëndrim të unifikuar për të gjitha vendet e Ballkanit, pasi sipas tij, deri tani ka patur një trajtim disi të diferencuar. “Shpresojmë që Bashkimi Evropian do ta marrë në konsideratë që janë vende që kanë shumë ngjashmëri në trajtimin e problemeve. Unë mendoj që do të ishte mirë që gjërat të vinin sa më shpejt. Ne shpresojmë që viti 2010 do të jetë shumë i rëndësishëm për liberalizimin e vizave. Kjo është së paku ideja e institucioneve, por edhe pritshmëria e publikut. Gjithësesi kjo qëndron në duart e Bashkimit Evropian”, nënvizoi presidenti shqiptar.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›