Gërdeci, nis përplasja e madhe mes ushtarakëve
Laureta Rryçi
Punimet në ish-repartin e tankeve ne Gërdec kanë nisur pa një urdhër me shkrim, por thjesht me një urdhër gojor të ish-gjeneralit të Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu. Kështu ripërsëriti dje në sallën e gjyqit gjenerali i Forcave Ajrore, Astrit Jaupi. Ndoshta për herë të parë ai sqaroi me imtësi, edhe pse përballë kishte ish-eprorin e tij Shpëtim Spahiun. Sipas Jaupit, urdhri për lejimin e punimeve nuk erdhi kurrë, edhe pse ka pasur disa herë komunikime verbale me Spahiun. “Edhe pse nuk e kisha në natyrën e punës sime, nga situata që u krijua, pas disa komunikimeve verbale me eprorin tim Shpëtim Spahiu, u detyrova të bëj një shkresë ku me shqetësim shkruaja se nuk po vjen urdhri për lejimin e punimeve në ish-repartin e Gërdecit. Ndërkohë, sipas raportimeve që kisha nga vartësit e mi, punimet kishin vijuar duke arritur edhe në shembjen e disa objekteve”, - deklaroi gjeneral Jaupi. Kaq mjaftoi për të sjellë përplasjen e parë mes gjeneralësh në sallën e gjyqit. Spahiu deklaroi se nuk e kishte dhënë një urdhër të tillë, se ish-reparti ishte në administrim të Forcave Ajrore dhe se Jaupi s’kishte pse i merrte leje atij. Por edhe pse Spahiu e mohoi të kishte kompetenca mbi atë ish-repart, në kontratën e qirasë, kur ky ambient i është kaluar MEICO-s, më datë 26.06.2007, dokumenti mban edhe firmën e Spahiut.
Shmangia
Në të njëjtën kohë, sipas oficerëve gjyqësorë që u morën me hetimet mbi tragjedinë e Gërdecit, ekzistonte një vendim i ish-ministrit Fatmir Mediu që binte në kundërshtim me Kushtetutën. Mësohet se me një urdhër të posaçëm Mediu vendosi të shkrinte Forcat Ajrore, Tokësore dhe Detare duke ngritur një strukturë të posaçme, që u njoh me “Komanda e Bashkuar”. Në krye të kësaj strukture u vendos gjeneral Shpëtim Spahiu. Specialistët thonë se kundërshtimi me Kushtetutën ka të bëjë pikërisht me shkrirjen e këtyre forcave, pasi ligji themeltar i shtetin thotë se Ushtria përbëhet nga këto tri forca. Po sipas dokumenteve që janë arkivuar në dosjen e Gërdecit, që është për gjykim, thuhet se në të gjitha aktet anashkalohej Shtabi i Përgjithshëm dhe i kalonin për zbatim apo monitorim të vendimeve Komandës së Bashkuar.
Urdhri
Ndërsa përplasja kishte nisur dje mes gjeneralëve Jaupi dhe Spahiu, dëshmitari nuk kurseu të deklaronte me ironi se urdhri me shkrim për lejim të punimeve në Gërdec kishte shumë gjasa, sa as sot të mos kishte vajtur atje ku duhej. Sipas gjeneral Jaupit, eprori i tij ka pasur kohën e mjaftueshme për ta dërguar urdhrin me shkrim. Gjenerali Jaupi ka mësuar për punimet në Gërdec vetëm nga paraqitja e punëtorëve, dhe jo nëpërmjet rrugës zyrtare, ashtu si duhej të ndodhte. Jaupi dëshmoi dje për dy orë me radhë, por e gjithë seanca e pyetjeve u fokusua se përse kishte lejuar punimet pa pasur një urdhër me shkrim. Ai shpjegoi se kur eprori jep një urdhër, qoftë dhe verbal, është detyrim ta zbatosh atë. Ndërkohë që krejt të kundërt e dha deklarimin e tij të parë i pandehuri, ish-gjeneral Shpëtim Spahiu. Ky i fundit i ktheu harxhin vartësit të tij, Jaupi, duke u shprehur se në këtë situatë ai ishte treguar diletant dhe jo ushtarak për t’u pranuar në forcat e NATO-s. “Ish-reparti i Gërdecit ka qenë në administrim të Forcave Ajrore. Përgjegjës për atë pronë ka qenë Astrit Jaupi dhe ky i fundit kishte të gjitha kompetencat për të lejuar ose pezulluar punimet dhe s’kishte arsye përse të më telefononte për diçka që nuk është në kompetencën time. Unë kam zbatuar urdhrat dhe rregulloren ushtarake, por keqinterpretimet e prokurorisë kanë sjellë dhe akuza të gabuara ndaj nesh”, - deklaroi dje i pandehuri Shpëtim Spahiu.
Bashkim Allushi, ish-nënoficer, roje pranë repartit të Gërdecit në muajt e parë kur kanë nisur punimet
“Më ka urdhëruar komandanti që të ruaja repartin e Gërdecit. Hapësira për t’u ruajtur ishte e madhe, por unë isha i vetmi roje, ndërkohë që zëvendësohesha nga ish-nënoficerë të tjerë duke qëndruar me turne. Kur unë kam ruajtur këtë repart, përfaqësues të firmës private kanë qenë duke bërë punime në ambientet brenda repartit. Për këto punime kam komunikuar gjatë gjithë kohës me telefon me shefin tim dhe i kam thënë se nuk kanë asnjë dokument me vete që i lejon që të kryejnë punime. Unë kam zbatuar urdhrat e eprorëve të mi dhe për çdo lëvizje apo të re kam shkruar në librin e informacioneve, përveç kontakteve verbale që kam pasur me eprorët në lidhje me këtë problem”.
Nazmi Shera, ish-nënoficer, roje pranë repartit të Gërdecit në muajt e parë kur kanë nisur punimet
“Kam qëndruar roje në ish-repartin e Gërdecit për rreth dy muaj. Në kohën që kisha në ruajtje këtë hapësirë ushtarake, mbaj mend se në ambientet e brendshme po bëheshin jo vetëm piketime apo matje, por madje po shembeshin edhe objekte. Këto objekte ishin në gjendje të mjeruar dhe të papërdorura nga forcat ushtarake. Ishte një sipërfaqe për rreth 100 mijë metra katrorë dhe ishte shumë e vështirë ta ruaja i vetëm të gjithën. Unë nuk kisha vetëm merakun se çfarë po bënte firma private, por edhe frikën se mos hynin banorët e Gërdecit, apo ndonjë ish-pronar që pretendonte se toka ishte e tija. Për çdo veprim që kanë bërë firma private kam komunikuar me komandantin”.
Dalip Kau, ish-nënoficer, roje pranë repartit të Gërdecit në muajt e parë kur kanë nisur punimet
“Kam qenë për një periudhë kohe të shkurtër roje në ish-repartin e gërdecit. Detyra ime ishte të ruaja sipërfaqen dhe për këtë më kishin pajisur me një armë. Kur kam marrë këtë detyrë punimet kishin nisur nga firma private. Kam marrë urdhër nga eprori im që të lejoheshin punimet. Kam zbatuar vetëm urdhrat e eprorëve. Tani jam i papunë”.
Fatmir Hoxha, ish-oficer, aktualisht i papunë
“Kam qenë shef operativ i brigadës ajrore. Nga tetori i vitit 2006 e deri në datën 22 qershor të 2007-s. Më pas, në këtë periudhë u lirova nga detyra. Për një muaj kam qenë komandant dhe kisha në varësi dhe repartin 126, që ndryshe njihet si reparti në Gërdec. Kjo periudhë që unë kisha detyrën e komandantit, është nga 14 maj deri më 22 qershor. Ky repart kishte 23 objekte dhe ishte me një sipërfaqe 100 mijë metra katrorë. Një ditë, më duket se ka qenë 28 prilli, jam njoftuar nga vartësit e mi se disa persona janë paraqitur për të nisur piketimet. Ata kishin thënë se kanë marrë leje, por realisht nuk kishin asnjë urdhër apo vendim me shkrim që i lejonte të bënin punime. Për këtë jam informuar në mënyrë urgjente dhe më pas kam informuar eprorin tim, Mehmet Merkon. Ky i fundit më ka thënë se duhet të prisja vetëm pak minuta sa të komunikonte me eprorin e tij. Më pas, kur kam biseduar në telefon me të, më ka thënë se kishte marrë urdhër verbal që të lejoheshin punimet. Më kujtohet se ajo ditë ishte e shtunë dhe eprori im më tha se të hënën do të vinte urdhri me shkrim. Mirëpo e hëna kaloi dhe te ne nuk mbërriti asnjë urdhër. Kam komunikuar sërish me eprorin tim dhe i kam thënë se si duhet të veproja. Ai më tha se i kishin thënë se urdhri do të vinte së shpejti dhe se punimet duhet të lejoheshin. Unë u kam thënë rojeve që të lejohen punime si matje apo piketime, por jo prishje të objekteve pa ardhur urdhri me shkrim. Mbaj mend se urdhri nuk kishte ardhur ende dhe objektet kishin nisur të prisheshin nga kjo firmë private. Përballë kësaj situate jam detyruar të bëj një shkresë me shkrim, por sërish nuk ka ardhur urdhër me shkrim”.
27 Mars 2010