Topi: Berisha po iu mashtron, premton çdo 4 vjet rrugën e Arbrit
FRD takime në Veriun e Shqipërisë. Prezantohen kandidatët e Kuksit dhe Dibrës
Partia Fryma e Re Demokratike ka prezantuar kandidatët e saj për deputetë në qarkun e Dibrës. Në fjalën e tij, kreu i FRD-së, Bamir Topi u ndal tek gjendja në të cilën ndodhen banorët e këtij qarku. Është për të ardhur keq që pas gjithë këtyre viteve, kemi të njëjtën situatë në këtë qark, e cila shkon gjithmonë drejt përkeqësimit. Ne jemi sot (dje) këtu, për të prezantuar Sali Shehun, atë që ka qëndruar më shumë nga të gjithë afër jush, si në kohën kur ishte deputet por edhe tani. Politika e vjetër nuk punon për qytetarët, por vetëm për një rreth të ngushtë të tyre, tha Topi. Duke folur mbi situatën elektorale, Topi tha se zgjedhjet nuk kanë të bëjnë më me politikanët por me të ardhmen e shqiptarëve. Prandaj, ju bëj thirrje qytetarëve dibranë të dalim masivisht në votime në datën 23 qershor dhe të votojnë alternativën e re, të votojnë numrin 66, të votojnë Frymën e Re Demokratike dhe Sali Shehun, për një të ardhme më të mire, u shpreh Bamir Topi. Kreu i FRD-sw u siguroi qytetarëve Dibranë se FRD do të bëjë gjithçka për ndërtimin e Rrugës së Arbrit: Kjo rrugë është premtuar çdo 4 vjet nga kryeministri aktual dhe nuk është bërë asnjëherë. Atëherë si mund të vijë ky individ dhe të kërkojë votat tuaja kur nuk ka mbajtur asnjë premtim nga ato që ka dhënë- u shpreh kryetari i FRD-së. -Oferta e vetme e kryeministrit është mashtrimi. Forca jonë politike do të vërë shtetin në shërbim të qytetarëve dhe jo të individëve.- vazhdoi Topi në fjalën e tij. Po dje FRD ka prezantuar kandidatin e saj për deputetë në qarkun e Kukësit. Gjatë fjalës së tij, Bamir Topi akuzoi qeverinë se ka braktisur ish-të përndjekurit politikë. Ish të përndjekurit politikë janë keqpërdorur, denigruar dhe braktisur nga kjo qeveri. Por, siç edhe shkruhet në programin tonë elektoral, Fryma e Re Demokratike është e sigurtë dhe e ka në bazën e ekzistencës së saj detyrimin për të qenë strehë e kësaj shtrese dhe më pranë të gjithë qytetarëve, sepse FRD është shtëpia e vërtetë e të përndjekurve politikë dhe e së djathtës shqiptare, u shpreh Bamir Topi.