Topi: Diaspora në SHBA, rol të jashtëzakondshëm

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot një përfaqësi të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” të udhëhequr nga Kryetari i saj, Dr. Gjon Buçaj, që po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Kryetari i shtetit shqiptar vuri në dukje kënaqësinë e veçantë për këtë takim të përzemërt të zhvilluar në një atmosferë të ngrohtë e miqësore dhe vlerësoi atdhedashurinë, dashamirësinë dhe interesimin e përhershëm që anëtarë të shquar të kësaj Federate kanë shfaqur përgjatë ekzistencës së saj gati njëshekullore.
Presidenti Topi ritheksoi rolin e jashtëzakonshëm që diaspora shqiptare në Amerikë ka luajtur dhe luan në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona mike dhe aleate të ngushta, duke kontribuar përmes veprimtarive të gjithanshme me karakter atdhetar, kulturor, historik e përkujtimor, duke qenë gjithashtu tepër të vëmendshëm e të ndjeshëm ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe në mbarë viset ku banojnë shqiptarë. Pasi vlerësoi lart kontributin e jashtëzakonshëm atdhetar të “VATRA-s” lidhur me çështjen tonë kombëtare, kryetari i shtetit shqiptar, duke i siguruar për gjithë mbështetjen personale dhe institucionale, u shpreh se “Federata jo vetëm që simbolizon historinë e shqiptarëve të Amerikës dhe përpjekjet e tyre në shërbim të atdheut, por ajo njëkohësisht është dhe një pjesë e rëndësishme dhe e patjetërsueshme e historisë dhe ndërgjegjes sonë kombëtare”.
Nga ana e tij, kryetari i Federatës “VATRA”, Dr. Gjon Buçaj e falënderoi presidentin Topi për pritjen dhe atmosefrën e ngrohtë, duke e vlerësuar lart punën dhe kontributin e tij në të mirë të interesave madhore të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar. Përfaqësuesit e Federatës e informuan presidentin Topi lidhur me vizitën e tyre dhe aktivitetet e planifikuara vitin që vjen, me rastin e 100-vjetorit të krijimit, të cilat përkojnë edhe me njëqindvjetorin e shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar.