E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: “Dita e zgjedhjeve nuk është një ditë betejash, por një ditë feste”

Presidenti takon titullarët e institucioneve kushtetuese. “Ushtroni detyrën, garantoni sigurinë në zgjedhje”

Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një takimi që zhvilloi dje me përfaqësues të institucioneve kushtetuese, u shpreh se dita e zgjedhjeve nuk është një ditë betejash, por një ditë feste. Ai theksoi dhe njëherë rëndësinë që kanë këto zgjedhje për proceset integruese të vendit në BE. Topi garantoi se në rast se zgjedhjet plotësojnë standardet e BE-së, atëherë shqiptarët do të përfitojnë liberalizimin e plotë të vizave me vendet e BE-së.
Gjatë takimit me prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, me kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, me drejtorin e Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi dhe me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, kreu i shtetit, Bamir Topi, kërkoi që të gjitha këto institucione të kryejnë detyrën sipas ligjit, para dhe pas procesit zgjedhor, duke garantuar sigurinë e zgjedhësve dhe të votës, pavarësisht se kush do të jetë fituesi.
Edhe ky takim nuk kishte si të kalonte pa një incident, siç ishte ndërprerja e energjisë elektrike për pak çaste. “Unë nuk besoj që ky blackout i padëshirueshëm që na ndodhi në këtë takim do të dobësojë forcën e mesazhit që ne dëshirojmë të japim për atë që mbarë shoqëria ka nevojë”, - është shprehur Topi duke shprehur optimizëm.
Mesazhi
Që në fillim të fjalës së tij kreu i shtetit u bëri thirrje titullarëve të institucioneve që të bashkëpunojnë për arritjen e standardeve në zgjedhjet e 28 qershorit. “Kjo është arsyeja që jemi mbledhur sot, pikërisht për të diskutuar rreth nevojës së funksionimit në parametra të plotë të të gjitha institucioneve, në periudhën para zgjedhjeve dhe në periudhën pas zgjedhjeve. Ka nevojë për funksionimin e institucioneve që, sipas të gjitha parametrave të shtetit ligjor, atyre parametrave që ne i kemi demonstruar, vazhdojmë t’i demonstrojmë e që patjetër janë standarde që ne do t’i arrijmë për të qenë të gatshëm, për të qenë pjesë dhe anëtar të familjes europiane”, - është shprehur kreu i shtetit, ndërsa ka vënë theksin në ruajtjen e klimës së qetë politike. “Duhet t’u garantojmë qytetarëve një klimë të qetë parazgjedhore, një klimë të qetë zgjedhore, dhe shumë e rëndësishme, një klimë të qetë paszgjedhore gjithashtu, që do të thotë që nëpunësit e institucioneve që ju përfaqësoni, të shprehin vullnetin e tyre të heshtur dhe në mënyrë absolute të mos ndërhyjnë direkt apo psikologjikisht te qytetarët e thjeshtë”, - është shprehur Topi, i cili tha se “pavarësisht se kush do të jetë fituesi apo humbësi, rregulli i demokracisë kërkon që pushtetet politike të bashkëpunojnë dhe të japin një mesazh shumë të thjeshtë për qytetarin, që dita e zgjedhjeve nuk është një ditë betejash. Dita e zgjedhjeve, për një vend demokratik, për një vend europian, të jetë ditë feste, por, mbi të gjitha, është mjaft i rëndësishëm administrimi i situatës edhe në periudhën pas zgjedhjeve”.
Integrimi
Mesazhi i dytë i presidentit Topi lidhej me procesin integrues të vendit në BE. Ai u shpreh se pavarësisht premtimeve të partive, qytetarët duhet të jenë të bindur se zgjedhjet janë kusht për liberalizimin e vizave. “Dhe e dyta, që ka të bëjë me një shërbim të thjeshtë, shumë utilitar për çdo qytetar të Shqipërisë, këto zgjedhje realisht do të kushtëzojnë lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Pavarësisht nga debatet, pavarësisht nga premtimet, një gjë është shumë e rëndësishme, të kuptohet dhe të kuptosh një mesazh të thjeshtë qytetar: Europa vështron me shumë kujdes. Nëse këto zgjedhje do të shkojnë ashtu siç ne presim, ju siguroj që gjithçka do të shkojë në mënyrë shumë natyrale drejt procesit të liberalizimit të vizave. Dhe këtë s’ka nevojë ta premtojnë partitë, ne duhet ta premtojmë të gjithë”, - është shprehur presidenti Topi.

Reagim i PDK-së dhe Polit të Lirisë
PDK: Lista e “Mjaft”-it, një spekulim i pastër politik

Partia Demokristiane dhe Poli i Lirisë kanë reaguar dje pas deklaratës së lëvizjes “Mjaft” për kandidatët e papërshtatshëm në listat e deputetëve. Sekretari Politik i PDK-së, Lazër Stani, gjatë një deklarate për shtyp, e konsideron raportin e Mjaft-it një skepulim të pastër politik. “PDK-ja dhe Poli i Lirisë e konsiderojnë publikimin një spekulim të pastër politik të bërë nga grupime civile të lidhura me dy partitë e mëdha politike, rivale të PDK-së dhe Polit të Lirisë. Nuk mundet dhe nuk është as demokratike që shoqata me ngjyrime politike të majta, siç është Mjaft-i, të na caktojë se cili duhet të jetë deputet. Atë e caktojnë qytetarët me votën dhe vullnetin e tyre të lirë më 28 qershor 2009. Ne jemi të habitur se si mund të konsiderohen të pastër deputetë e ministra që nuk kanë imunitet dhe që janë në bankën e të akuzuarve për korrupsion dhe abuzim me detyrën, ndërkohë që në vend të tyre përfshihen deputetë të nderuar që janë votuar më shumë se një herë nga elektorati dhe asnjëherë nuk kanë pasur problem me elektoratin dhe me drejtësinë. Jemi të habitur se si jashtë listës janë politikanë të lidhur me tragjedinë e Gërdecit dhe në të janë ata që shëruan plagët e Gërdecit”, - është shprehur Stani. Më tej ai sqaroi pozicionin e dy deputetëve të përfolur të PDK-së. “Për sqarim të opinionit publik, deputeti demokristian, Jak Ndokaj, ka qenë dy herë deputet i zgjedhur me votat e tij personale në një zonë elektorale të Tiranës. Ai nuk ka pasur asnjëherë probleme me shtetin, drejtësinë, ligjin dhe organet përkatëse, ndaj përfshirja e tij në një listë të padëshiruarish është mëse e habitshme, e qëllimshme dhe spekulative. Sqarojmë gjithashtu se deputeti Frrok Gjini ka pasur një akuzë politike për kryengritje të armatosur më 14 shtator 1998, për të cilën është arrestuar, por nga të gjitha nivelet e gjykatave, përfshirë Gjykatën e Lartë, ai është shpallur i pafajshëm dhe shteti i ka kompensuar financiarisht të gjitha pasojat e arrestimit dhe ndalimit”, - është shprehur Stani.

23 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›