PDK: Lista e “Mjaft”-it, një spekulim i pastër politik
Partia Demokristiane dhe Poli i Lirisë kanë reaguar dje pas deklaratës së lëvizjes “Mjaft” për kandidatët e papërshtatshëm në listat e deputetëve. Sekretari Politik i PDK-së, Lazër Stani, gjatë një deklarate për shtyp, e konsideron raportin e Mjaft-it një skepulim të pastër politik. “PDK-ja dhe Poli i Lirisë e konsiderojnë publikimin një spekulim të pastër politik të bërë nga grupime civile të lidhura me dy partitë e mëdha politike, rivale të PDK-së dhe Polit të Lirisë. Nuk mundet dhe nuk është as demokratike që shoqata me ngjyrime politike të majta, siç është Mjaft-i, të na caktojë se cili duhet të jetë deputet. Atë e caktojnë qytetarët me votën dhe vullnetin e tyre të lirë më 28 qershor 2009. Ne jemi të habitur se si mund të konsiderohen të pastër deputetë e ministra që nuk kanë imunitet dhe që janë në bankën e të akuzuarve për korrupsion dhe abuzim me detyrën, ndërkohë që në vend të tyre përfshihen deputetë të nderuar që janë votuar më shumë se një herë nga elektorati dhe asnjëherë nuk kanë pasur problem me elektoratin dhe me drejtësinë. Jemi të habitur se si jashtë listës janë politikanë të lidhur me tragjedinë e Gërdecit dhe në të janë ata që shëruan plagët e Gërdecit”, - është shprehur Stani. Më tej ai sqaroi pozicionin e dy deputetëve të përfolur të PDK-së. “Për sqarim të opinionit publik, deputeti demokristian, Jak Ndokaj, ka qenë dy herë deputet i zgjedhur me votat e tij personale në një zonë elektorale të Tiranës. Ai nuk ka pasur asnjëherë probleme me shtetin, drejtësinë, ligjin dhe organet përkatëse, ndaj përfshirja e tij në një listë të padëshiruarish është mëse e habitshme, e qëllimshme dhe spekulative. Sqarojmë gjithashtu se deputeti Frrok Gjini ka pasur një akuzë politike për kryengritje të armatosur më 14 shtator 1998, për të cilën është arrestuar, por nga të gjitha nivelet e gjykatave, përfshirë Gjykatën e Lartë, ai është shpallur i pafajshëm dhe shteti i ka kompensuar financiarisht të gjitha pasojat e arrestimit dhe ndalimit”, - është shprehur Stani.
23 Qershor 2009