E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI akuzon ministrin Noka për dhunë policore në Kukës

ralf gjoniLSI: Flamur Noka po ushtron presion ndaj anëtarëve tanë në Kukës
Lëvizja Socialiste për Integrim denoncoi dje presionin e ushtuar ndaj përfaqësuesve dhe mbështetësve të LSI-së në qarkun e Kukësit. Sekretari për marrëdhëniet me jashtë në LSI, akuzoi ministrin e Brendshëm, Flamur Noka se po ushtron presion ndaj kandidatëve për deputetë të LSI-së në qarkun e Kukësit. Sot (dje) në mëngjes është shoqëruar edhe shoferi i Bardhoshi në Komisariatin e Hasit pas ndërhyrjes së rreth 30 efektivëve të policisë dhe të forcave speciale. Shefi i krimeve të zonës Shpetim Maçi ka qenë prezent. Kur është kërkuar nga Bardhoshi për arsyen e kësaj sjelljeje të paligjshme dhe të dhunshme, përgjigja nga policia ka qenë së nuk mund të jepen shpjegime por se ka pasur urdhër nga lart. Është e qartë se Flamur Noka po kthehet nga Ministër në shkatërrues i zgjedhjeve me bekimin e Sali Berishës. Dua që në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim të paralajmëroj Ministrin e Brendshëm Noka dhe të gjithë ata individë që kanë ndërmarrë një operacion kaq të shëmtuar terrori ndaj kandidatëve, aktivistëve, mbështetësve të LSI apo të çdo force tjetër politike, se do të mbajnë përgjegjësi ligjore për aktivitetin kriminal, intimidues dhe kërcënues që kanë ndërmarrë, tha Gjoni.

Noka: Ligji ndalon çdo formë shantazhi për votën
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka reagoi menjëherë pas akuzave në drejtim të tij nga Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nga Gola e Hasit ku po zhvillonte një takim elektoral, ministri Noka ka hedhur poshtë akuzat e LSI, se Policia e Shteti po ushtron dhunë ndaj simpatizantëve të LSI në qarkun e Kukësit, ndërkohë ka kujtuar se ligji ndalon çdo formë shantazhi për votën. Ligji ndalon çdo forme shantazhi apo trafikimi të votës së qytetarëve. Strukturat e policisë së shtetit janë të vendosura për të garantuar zgjedhjet e lira. Kushdo që do tentojë të prishë lirinë e votës, do të përballet me forcën e ligjit. LSI duhet ta dijë që marrja e votave me blerje dhe devijime do mbetet një ëndërr e prishur. Kuksianët, hasjanët dhe tropojanët nuk i kanë blerë dhe nënshtruar as hordhitë serbe e as diktatura. Kuksianët, hasjanët dhe tropojanët nuk mund ti blerë dhe as nënshtrojë trafikanti kandidat i LSI-së. I bëj thirrje LSI-së të ndërpresë këto tentativa kriminale, përndryshe do përballet me ligjin, tha Noka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›