E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: FRD e vetme në zgjedhje, por me mbështetje të madhe qytetare

TIRANË- Kreu i FRD-së, Bamir Topi gjatë një takimi me banorë të zonës së Xhamisë së Yrshekut në Tiranë theksoi se edhe pse FRD vendosi të hyjë e vetme në zgjedhje ajo gëzon një mbështetje të madhe qytetare.

“Mjaft familje mbahen me një rrogë dhe janë të gjithë të mirëkuptuar, por nuk ka gjë më të mirë kur sheh njerëz që kanë ardhur në takim pa i detyruar njeri. Unë sot jam këtu në emër të një misioni qytetar, në krye të FRD-së, një forcë e re politike që ka dëshmuar karakter të fortë politik që futet në këto zgjedhje e vetme, por e pasur qytetarë” 

Lideri i FRD-së gjatë fjalës së tij ndër të tjera shprehu shqetësimin për performancën e Parlamentit. Duke sjellë në vëmendje legjislaturën e shkuar të organit ekzekutiv, Topi i bëri thirrje që më 23 qershor të mendojnë edhe emrat që do i përfaqësojnë.

“Parlamenti shqiptar duhet të kishte performancën e një Parlamenti dinjitoz, nuk e ka ofruar, Parlamenti është zhvendosur nën thundrën e ekzekutivit. Ai është kthyer në një institucion ku deputet shkojnë vetëm për të marrë rrogën dhe nuk janë influence për zgjidhje te mëtejshme, meraku më i madh nuk është për Parlamentin që iku pasi në të shumtën e kohës ai ka funksionuar me gjysmën legjislative, por për të ardhmen”, theksoi Topi. 

Topi denoncoi aktin e asaj që ai e cilësoi si 'blerja e votës', ndërsa akuzoi liderët e dy partive më të mëdha në vend për demagogji. “Ne nuk jemi për demagogji politike si kundërshtarët politik që thonë 250 apo 300 mije vende pune. Një politikan që provohet një herë në katër vjet provohet për sinqeritetin dhe profilin e tij të ndershmërisë” tha Topi.

“Ne kemi program të qartë për pronat, duke njohur mirë këtë çështje. Brenda 4 viteve nëse ka vullnet politik dhe ne e kemi vullnetin të bëjmë transparencën e pronave. Pa pronë nuk ka ekonomi tregu”, premtoi Topi.

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›