E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, të arratisurit e burgut të Trikalas vrasin një polic

Një punonjës policie është vrarë në Greqi, dhe dyshohet se autorë janë shqiptarët e arratisur nga burgu i Trikalas.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas mesnate, rreth orës 2:30 minuta, në vendin e quajtur Distomu. 

Nisur nga informacionet se njerëz të dyshimtë ishin duke lëvizur në këmbë në zonën e Distomu, në këtë pikë shkoi një automjet policie me 3 policë dhe ndërsa po parkonte, nga kaçubet përreth dolën 5 persona të armatosur. Nën kërcënimin e armëve iu morrën policëve 3 xhaketat antiplumb, tre pistoleta dhe një pushkë, ndërsa policët të papërgatitur për këtë sulm të beftë, nuk mundën të kundërpërgjigjen. 

Më pas morrën makinën e policisë dhe teksa largoheshin me të, qëlluan në drejtim të policëve. Nga plumbat u plagos në këmbë një polic 37 vjeç, Jorgo Andritsopulu (ne foto), babai i dy fëmijëve, i cili ndërroi jetë në spital nga humbja e gjakut, sepse plumbi kishte goditur arterien.

Në vazhdim është një operacion të gjerë për kapjen e grupit të të armatosurve, ku janë përfshirë edhe forcat speciale dhe një helikopter.

Disa operacione policore janë zhvilluar muajt e fundit për kapjen e të arratisurve nga burgu i Trikalas, të cilët shfaqen herë pas here në zona të ndryshme të Greqisë, teksa vjedhin makina apo grabisin para në supermarkete e dyqane.

Polici 37 vjeçar i vrarë natën e kaluar, është viktima e dytë pas 25 vjeçares Katerina Zogali, për vrasjen e së cilës akuzohet shqiptari Marian Kola. E reja humbi jetën nga plumbat më 30 mars, gjatë shkëmbimit të zjarrit të Kolës dhe të arratisurve të tjerë me policinë, në ndjekje e sipër.

11 shqiptarë arritën të arratisen nga burgu i Trikalas duke u gdhirë 23 marsi, pasi plagosen dy roje, por 3 prej tyre u kapën menjëherë. 5 protagonistët e ngjarjes së sotme, janë pjesë e të arratisurve nga ky burg. 

Të arratisurit shqiptarë janë: Flaulant Luli 27 vjeç, Edison Lika 25 vjeç, Ilir Kupa 27 vjeç, Marjan Kola 36 vjeç, Klement Cala 25 vjeç, Admir Murataj 41 vjeç, Ermal Lita 35 vjeç (i arrestuar tashmë) dhe Fatos Sulaj 31 vjeç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›