“Shkarkimet duhet të kishin nisur që në nëntor, prokuroria të hetojë qeverinë”Nga Bledar LumaniIsh-zv/ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, Pajtim Bello, flet për situatën e krijuar nga përmbytjet. Sipas tij, shkeljet me shkarkimet janë të qarta, pa
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
“Shkarkimet duhet të kishin nisur që në nëntor, prokuroria të hetojë qeverinë”Nga Bledar LumaniIsh-zv/ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, Pajtim Bello, flet për situatën e krijuar nga përmbytjet. Sipas tij, shkeljet me shkarkimet janë të qarta, pasi është pritur, derisa të kalojë niveli i sigurisë dhe kanë nisur shkarkimet. Banorët nuk janë njoftuar, por u ka mbërritur uji te dera. Bello thotë se prokuroria e ka të lehtë të hetojë këtë skandal, ndërsa shton se kostot janë jashtëzakonisht të mëdha, të paktën mbi 150 milionë euro
Zoti Bello, si do ta cilësonit situatën e përmbytjeve të ndodhura në Shkodër dhe Lezhë?
Tashmë ne flasim për një ngjarje që është postmortum, pra që ka ndodhur. Ajo që mund të thuhet, është se për këtë çështje ka një mungesë të theksuar transparence nga ana e qeverisë. Me të drejtë ngrihet pyetja që kjo përmbytje u shkaktua vetëm nga shirat dhe nga baticë në Lezhë, ashtu siç u tha nga autoritetet qeveritare. Dua të ndalem pikërisht te kjo e fundit. Më duket i çuditshëm dhe një mungesë e thellë informacioni pretendimi për baticë në Lezhë. Është një deklaratë qesharake dhe që mund të bëhet vetëm nga njerëz injorantë, dhe që nuk kanë lidhje me këtë punë. Para se të flasin, këta njerëz duhet të dinë që në detin Adriatik nuk ndodhin baticat. Batica ka lidhje me raporte të tjera dhe nuk ka të bëjë fare me atë që ka ndodhur në Lezhë.
Kryeministri Berisha madje deklaroi se kjo ka ndodhur për shkak të ngrohjes globale.
Absolutisht nuk ka të bëjë as ngrohja globale dhe as ndonjë vrimë në ozon! Ajo është një dallgë deti, e cila e gjeti ultësirën të pambrojtur, sepse argjinaturat, që kanë qenë të ndërtuara para viteve ’90, nuk ekzistojnë më. Dallga kalo argjinaturën që nuk ekziston, kanalet e shkarkimit të ujit nuk funksionojnë dhe ajo lëvizi realisht si një dallgë batice, hyri në tokë dhe pjesërisht u kthye në det, ashtu siç kthehet dallga e detit, ndërsa pjesërisht mbeti në tokë, pasi nuk kishte nga të qarkullonte, duke qenë se kanalet e shkarkimit janë të prishura dhe të bllokuara. Në këtë aspekt, gjithçka që ndodhi në Lezhë, është pasojë e mosparashikimit të institucioneve shtetërore. Kjo ka ardhur, sepse realisht strukturat shtetërore, që merren me këto fenomene, pra që vëzhgonin forcën dhe drejtimin e erërave, nivelin e dallgëve në bregdet, gjendjen e gjithë veprave hidroteknike që mbrojnë tokën nga deti, të cilat janë të ndërtuara dhe shërbejnë për parandalimin e përmbytjeve, janë të shkatërruara. Për fat të keq në vitin 2006 këto institucione dhe disa agjenci të tjera, të cilat merreshin me ato, janë shkatërruar. Nën petkun e reformimit janë ngritur disa agjenci të tjera, të cilat vetëm me këto punë që nuk merren dhe ndodhi kjo që ndodhi. Askush nuk tha, pse ndodhi kjo, por vendosën se ishte baticë. Para dy vjetësh, ish-ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ka bërë një deklaratë shumë pompoze, duke thënë se ultësirën e Lezhës e kemi shpëtuar nga përmbytjet, pasi, sipas tij, ishte braktisur nga qeveritë e mëparshme. Realisht kjo qeveri ka shpenzuar pará për këtë problem, por ato pará më së shumti, të paktën ashtu siç duket, kanë përfunduar në xhepat e kushedi se kujt. Mungesa e strukturave bën këtë që, militantët e verbër dhe të etur për të vjedhur, japin informacione, duke thënë që banorët të flenë të qetë, se nuk do të ketë më përmbytje.
Shkarkimet e ujit nga hidrocentralet janë kryer në kohën e duhur dhe a mendoni se ato kanë qenë faktori kryesor i përmbytjeve?
Pjesa e shkarkimeve ndahet nga ajo që ka ndodhur në Lezhë, pasi prek vetëm Shkodrën. Një palë thotë që përmbytjet kanë ndodhur për shkak të shirave, ndërsa pala tjetër thotë se përmbytjet kanë ndodhur për shkak të shkarkimeve. Qeveria pretendon se shirat dhe ngrohja globale shkaktuan këto përmbytje kaq të mëdha. Kjo gjë është shumë e thjeshtë për t’u evidentuar. Mjafton vetëm të shohësh ngjyrën e ujit. Në zonat e përmbytura ka ujë ngjyrë blu, pra ngjyrë e ujërave të liqenit. Duke parë këtë, del në pah se niveli i ujërave të shirave ka qenë i tillë sa nuk ka mundur dot që as të turbullojë ujërat e liqeneve. Pra, lind pyetja: Çfarë ka ndodhur realisht? Nga të dhënat që unë kam, në vitin 1963, në muajt dhjetor-janar të këtij viti, kanë ndodhur përmbytje të përmasave të tilla. Niveli i ujit në Bahçallëk, aty ka një postë hidrometrike që mat nivelin e ujit, ka qenë aty te diçka më shumë se 9 metra. Ky nivel është edhe sot, madje më i madh se 9 metra. Kjo rezulton nga matjet që kanë bërë disa kolegë, të cilët nuk duan të identifikohen, sepse rrezikojnë vendin e punës. Në ‘63 nuk kishte kaskadë, ndryshe nga sot. Nëse do të shihet më vëmendje, reshjet e shiut të ‘63-it kanë qenë më të mëdha se të sotmet, kanë qenë dyfish më të mëdha se reshjet e ditëve të fundit dhe prapëseprapë na ndodh një përmbytje e të njëjtave përmasa.
Si e shpjegoni këtë?
Me të drejtë lind pyetja se çfarë la ndodhur këtu. Përgjigjja është se dikush ka shtuar ujin, pasi reshjet kanë qenë më të pakta. Kuptohet pra kanë ndikuar shkarkimet e ujit. Duhet thënë se reshjet e shiut në këtë periudhë janë të njëjtat me ato që kanë rënë në zonën e Lezhës dhe Shkodrës gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit. Efektivisht del se shtesa e ujit nga hidrocentralet, pra shkarkimet, kanë krijuar situatën emergjente, duke bërë që niveli i ujit të rritet ndjeshëm dhe të shkaktojë përmbytje.
Pra, ju thoni se faktori kryesor që ka ndikuar në përmbytjet e ndodhura në Shkodër kanë qenë shkarkimet e ujit nga hidrocentralet, dhe jo reshjet e shiut?
Po, në masën kryesore të përmbytjeve kanë ndikuar shkarkimet e bëra të ujit të hidrocentraleve. Pastaj kuptohet që edhe reshjet kanë bërë punën e vet, pasi duke u bashkuar me ujin e shkarkuar nga hidrocentralet kanë ndikuar për thellimin e përmbytjeve. Në përmbytje ka ndikuar edhe gjendja jo e mirë e veprave hidroteknike që ndodhen në këtë zonë, që përfshijnë argjinaturat, kanalet e shkarkimit të ujit të lumenjve, të cilat duhet të pastrohen herë pas here. Por edhe hidrovoret nuk kanë qenë në gjendje pune, pasi ato janë vënë në punë vetëm pas përmbytjeve, ndërkohë që duhet të ishin vënë në punë përpara përmbytjeve.
Shkarkimet e ujit nga hidrocentralet duhet të ishin bërë pak nga pak apo njëherësh, siç ndodhi në këtë rast?
Ka një rregullore për shkarkimin e ujërave të hidrocentraleve. Referuar kësaj rregulloreje, shkarkimet e ujërave të hidrocentraleve duhet të kishin filluar që prej muajit nëntor. Në qoftë se këto shkarkime do të kishin filluar që në muajin nëntor dhe të ishin kryer herë pas here, kuptohet që nuk do të shkarkoheshin 300-400 milionë kub ujë për katër ditë, por do të shkarkoheshin për 15 apo 20 ditë. Kjo do të thotë se do të ishte shmangur përmbytja ose do të lehtësonte ndjeshëm situatën dhe nuk do të ndodheshim në këtë gjendje. Do të ishim në të njëjtën situatë siç ka ndodhur edhe herë të tjera, kur ka pasur përmbytje të niveleve normale dhe jo të katastrofave. Sepse është i pashmangshëm shkarkimi i ujërave nga hidrocentralet, gjë që në fakt shkakton probleme në këtë zonë, pasi është ultësirë. Kuptohet që problemet do të jenë më të mëdha, nëse nuk do të menaxhohet në mënyrën e duhur shkarkimi i ujërave dhe gjithë veprat hidroteknike, të cilat ndihmojnë në shmangien e përmbytjeve si kjo aktualja.
Mendoni se situata mund të përkeqësohet?
Shkarkimet e ujit do të vazhdojnë, pasi, derisa të arrihet në kuotën e 290 metrave, KESH është i detyruar që të shkarkojë ujë në Fierzë. Në varësi të reshjeve shkarkimet e ujit mund të jenë në nivele edhe më të mëdha. Sa do të vazhdojnë këto shkarkime, varet edhe nga koha, por ato nuk mund të ndërpriten. Nëse shkarkimet do të ndërpriten, do të përsëritet gabimi i parë. Tashmë duhet shkarkuar dhe nuk duhet lënë e keqja për më pas. Duke qenë se shkarkimet duhet të vazhdojnë, mendoj që situata mund të përkeqësohet ndjeshëm, por kjo i duhet lënë kohës për t’u parë. E vetmja gjë e sigurt dhe që duhet kryer është vazhdimi i shkarkimit të ujërave.
Kush e ka përgjegjësinë kryesore për këtë ngjarje?
Natyrisht që qeveria dhe Ministria e Energjitikës. Kjo është e përcaktuar qartë në rregullore. Duhet që të funksiononte një komision i posaçëm, i cili ngrihet menjëherë, kur Fierza arrin në kuotën e 285 metrave. Ky komision, sipas rregullores, duhet që të funksionojë non stop. Kur prurjet e ujit janë të tilla, të cilat kanë tendencë që të shkojnë nga 287 deri në 289 metra, fillon shkarkimi i tyre, pra komisioni vendos shkarkimin e tyre. Pra, duhet që ujërat të shkarkohen pa arritur në kuotën e 290 metrave, jo më ta kalojnë këtë kuotë. Kjo, pasi shkarkimet nuk bëhen mbrapsht, pra të arrihet maksimumi dhe pastaj të kryhen, por shkarkimet e ujit bëhen pa shkuar në pikën kritike. Zakonisht masat e sigurisë merren me këtë qëllim, që mos të shkohet në pikën kritike, jo që të arrihet në këtë gjendje dhe më pas të kthehesh mbrapsht. Duke qenë se ka arritur pikërisht pika kritike në këtë rast, këta zotërinj kanë dashur që t’i shkarkojnë ujërat brenda katër ditëve, për të ruajtur digën.
Zakonisht, kur ndodhin shkarkimet e ujërave, sa ditë përpara duhet të lajmërohen banorët për të marrë masat?
Në rastin konkret është për të ardhur keq, pasi ata i ka lajmëruar uji, i cili u shkoi te dera e shtëpisë. Komisioni që ngrihet pranë Ministrisë së Energjitikës, kur konstaton këtë situatë, referuar edhe ligjit të Emergjencave Civile në Shqipëri, menjëherë duhej që të njoftohej Emergjenca Civile dhe më pas Këshilli i Ministrave, i cili mund të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në shkallë republike apo në shkallë të veçantë. Kjo pastaj nënkupton marrjen e masave parandaluese dhe lehtësuese, si njoftimi i banorëve, parashikimi për marrjen e masave, për kryerjen e shkarkimeve, brenda sa ditëve duhet të kryhen, brenda 5, 10 apo 15 ditëve, duhen aktivizuar specialistët, të cilët duhet të thonë se kur duhet të fillojnë të kryhen shkarkimet, në mënyrë që njerëzit të jenë në gjendje gatishmërie. Por, nuk bëhet kështu si në këtë rast, kur ndodh përmbytja dhe qeveria të thotë, ngrihu dhe ik nga shtëpia, duke lënë vetëm kryefamiljarin. Po ku do venë këta njerëz? Mirë vetë mund të shkojnë në hotele apo konvikte, po gjënë e gjallë ku do ta çojnë, në hotel? Njerëzve duhet t’u ishte treguar që në fillim situata. Detyra e kryeministrit nuk është që t’u thuhet banorëve se në ç’gjendje ndodhemi, detyra e tij është që t’u thotë banorëve se çfarë masash ka marrë. Kryeministri duhet të shpjegojë se, nëse ndodhemi para një katastrofe, përse ka ndodhur, nga moti? Kryeministri duhet të thotë që katastrofa nuk ka ndodhur për shkak të kohës, por për shkak se liqenet e kaskadës së Drinit janë shkarkuar brenda katër ditëve. Përse thotë kryeministri që gjendemi papara një katastrofe, kur të gjitha pajisjet dhe portat e kaskadës së Drinit funksionojnë? Të na e thotë se cila është arsyeja. Kombinimi ndërmjet komitetit të posaçëm që ngihet për emergjencat civile dhe komitetit që ndodhet pranë Ministrisë së Energjitikës, duhet të kishte njoftuar në kohë banorët dhe duhet të kishte marrë masat e nevojshme për parandalimin e përmbytjes.
Ju thoni se masat e qeverisë janë marrë pas përmbytjes, ndërsa përpara nuk është kryer asnjë veprim për parandalimin e përmbytjeve?
Këtë nuk e them unë, por shihet qartë. Ne pamë që masat e qeverisë janë marrë vetëm pas përmbytjes. Kryeministri dhe shumë deputetë shkuan në Shkodër pas përmbytjeve, edhe pse askush nuk mund të bëjë asgjë tani që ka ndodhur përmbytja. Tashmë nuk ka nevojë për deklarata politike, po duhet të veprojë Komiteti i Emergjencave Civile, që për mua duhet të ishte shpallur në shkallë vendi.
Sa mund të jetë kostoja e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet?
Kam dëgjuar deklaratat e qeveritarëve, të cilët thonë se nuk ka kosto. Nuk është normale që në një situatë të tillë të thuhet se nuk ka kosto. ǒdomethënë që nuk ka kosto? A e dinë këta qeveritarë që janë përmbytur mijëra hektarë tokë në Shkodër dhe Lezhë, tokë bujqësore e një prodhimtarie shumë të lartë? Pra, si mundet që të thonë këta se nuk ka asnjë kosto në 6 mijë hektarë tokë të përmbytur, kur të gjitha luginat janë mbushur me ujë të kripur dhe nuk dihet se si do rehabilitohen këto laguna? Si mund të thuhet që nuk ka kosto, kur të gjitha kanalizimet, rrjetet elektrike, të telefonisë etj., janë shkatërruar? Nga ato që kam parë, mendoj se minimalisht kostoja e dëmit është rreth 150 milionë euro. Ku do t’i gjejë KESH këto pará që të zhdëmtojë banorët? Kjo, pasi thonë që në zonën e Shkodrës do t’i kompensojë KESH, dëme që arrijnë në shifrën e 70-80 milionë eurove. Që të gjejë këtë shifër parash, KESH duhet të eksportojë shifra kolosale të energjisë. Kjo do të krijonte një gropë të zezë për KESH, sepse aktualisht KESH ka problemet e veta, duke qenë se ka marrë kredi për të shlyer borxhet. Keqmenaxhimi i kësaj situate mund të bëjë që KESH të fundoset.
A mund të cilësohet ky një krim shtetëror dhe a duhet të nisin hetimet nga prokuroria?
Për mua duhet që hetimet të fillojnë patjetër. Nuk ka arsye që të kryhet ndonjë denoncim, sepse faktet janë të qarta dhe prokuroria duhet të fillojë menjëherë nga hetimet. Prokuroria duhet që të marrë kuotat e nivelit të ujit në hidrocentrale që nga muaji tetor, duhet të marrë dhe të hetojë rregulloren e shkarkimeve të ujërave, të shqyrtojë, nëse ka funksionuar apo jo komisioni i posaçëm për shkarkimin e ujërave nga kaskada e Drinit, ç’vendime janë marrë, si janë shqyrtuar, pse u la që të arrihej deri në këtë pikë, pra te 294 metra dhe pastaj të fillonin shkarkimet, kur rregullorja e thotë qartë që shkarkimet duhet të kishin filluar pa shkuar në kuotën e 290 metrave. Për ç’arsye nuk është bërë një gjë e tillë? Duhet të hetohet dhe verifikohet, nëse është marrë import gjatë kësaj periudhe, pasi, nëse është marrë import, kur kuota e hidrocentralit ka qenë mbi 285 metra, duhet të shpjegohen arsyet pse është importuar. Edhe sot që flasim, vazhdon që të importohet energji. Importi është ujë që qeveria ua lëshon banorëve për t’i mbytur, sepse duke importuar depozitohet ujë në liqen, i cili duhet që të shkarkohet. Duhet të shpjegohen këto gjëra. Qeveria thotë se dëmshpërblimet do të kryhen nga fondet e shtetit, po ç’domethënë kjo? Për kë do paguajë më parë ky buxhet, pasi nuk po kuptojmë gjë? Ndodh një tragjedi si ajo e Gërdecit, u shemb tuneli, u rrit çmimi i energjisë etj., qeveria thotë se paguan buxheti. Ndodhi përmbytja e fundit, prapë paguan buxheti i shtetit. Por buxheti nuk është për të paguar për këto, pasi ai hartohet dhe ndërtohet për një qëllim tjetër. Kur ndodhin këto, do të thotë se dikush nuk ka punuar mirë dhe duhet të mbajë përgjegjësi, pasi buxheti i shtetit nuk duhet të shlyejë faturën e gabimeve të qeveritarëve, të cilët, në vend që të mbajnë përgjegjësi, dalin në medie dhe bëjnë rolin e heroit. Dalin ministra dhe drejtorë, duke thënë se e kanë kaluar situatën me dëme minimale, duke menaxhuar situatën si duhet dhe duke shpëtuar jetë njerëzish, ndërkohë që këta të fundit kanë shpëtuar vetë. Të ishte për qeveritarët, ata tashmë i kishte marrë uji. Përpiqen që të dalin si heronj, ndërkohë që kanë shpërdoruar lekët e qytetarëve me papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e tyre. Këta zotërinj duhet që të japin llogari përse ndodhi kjo, pasi dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë dhe të ndëshkohet. Mungesa e ndëshkimit ka bërë që qeveritarët të mos kenë frikë nga ligji dhe tashmë ata vazhdojnë me moton se kështu qeveriset. Por nuk mund të qeveriset kështu dhe askush të mos mbajë përgjegjësi.