E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Institucionet e ligjit duhet të thonë fjalën e tyre

31/05/2011  Presidenti i Republikës komentoi dje procesin e gjykimit të rezultatit për Tiranën

“Institucionet të flasin duke pasur parasysh statusin e tyre ligjor dhe moral”

Presidenti i Republikës ka komentuar dje procesin e gjykimit jo vetëm nga Kolegji Zgjedhor, por dhe nga KQZ-ja në lidhje me rezultatin e ankimuar nga dy forcat e mëdha politike në vend. “Jemi duke pritur që institucionet e ligjit duhet të thonë fjalën e tyre”, - ishte komenti i bërë nga kreu i shtetit. Më tej në konferencën e tij për shtyp të zhvilluar dje pas pjesëmarrjes në ceremoninë e ushtrimeve të përbashkëta ushtarake mes forcave britanike dhe atyre shqiptare Presidenti Topi u shpreh se nuk jemi në atë situatë kur një institucion i konsideruar epror do të gjykojë dhe do të flasë në emër të tyre. Përkundrazi, theksoi ai “ata duhet të flasin duke pasur në konsideratë statusin e tyre. Statusi i tyre është shumë i rëndësishëm, është status ligjor, por është edhe status moral, sepse duhet të ketë një kompatibilitet midis integritetit moral, profesional dhe ligjor. Të gjitha këto japin standardin e arrirë”, - nënvizoi në fjalën e tij Topi. Gjithashtu në fjalën e tij kreu i shtetit një rëndësi të veçantë i kushtoi dhe pavarësisë dhe respektimit të ligjeve në fuqi nga ana e institucioneve, ku zbatimi i tyre për Presidentin do të thotë një bashkim më i shpejtë me familjen europiane. “Ligjet janë prodhuar, por problemi është zbatimi i tyre. Dhe secili institucion apo çdo individ që ka në dorë një proces të caktuar dhe kuptohet që këto procese që ne po kalojmë janë shumë të rëndësishme, sepse japin një notë për demokracinë. Japin një notë për stadin aktual ku ne zhvillojmë të gjithë dialogun politik, por dhe institucional. Dhe patjetër çdo njeri duhet të kuptojë se është ligji dhe vetëm ligji. Në rast se gjithsekush është në rregull me zbatimin e ligjit, ju siguroj se Evropa dhe vendet e Evropës patjetër që do të dinë të vlerësojnë”, - u shpreh Topi. Në stërvitjen e djeshme ushtarake detare me emrin e koduar “Luani i Albionit”, Presidenti Topi shoqërohej nga ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar Fiona Mekuilam, ambasadori i Holandës Kornelis van den Dol si dhe nga admiralët më të lartë të vendit.

Sfidat e integrimit

“Një nga sfidat është ajo e institucioneve. E institucionet në një vend demokratik si ç’është Shqipëria prodhohen nga politika. Dhe institucioni i parë është institucioni i zgjedhjeve. Institucioni i zgjedhjeve formon institucione demokratike. E thënë ndryshe, një demokraci imponon zbatim të rregullave dhe të shtetit ligjor. Dhe Shqipëria nuk është një shtet pa ligje”, - tha Topi

Anëtarësimi në NATO

“Anëtarësimi në NATO nuk ka ardhur si dhuratë. Ne e vlerësojmë të gjithë predispozicionin e vendeve të Aleancës për ta përfshirë Shqipërinë në gjirin e saj, por kjo pa dyshim ka ardhur edhe si rrjedhojë e reformave që janë bërë në Shqipëri, e përmirësimit të disa standardeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin në NATO”, - tha dje Presindeti Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›