E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Jo dhunë në fushatë, përgjegjësia e partive

TIRANË- Presidenti i vendit, Bamir Topi ka bërë thirrje për domosdoshmërinë e shmangies së dhunës fizike gjatë fushatës, në të kundërt përgjegjësia e plotë, sipas tij do të bjerë mbi partitë dhe përfaqëesuesit e tyre. Gjatë një takimi me përfaqësues shqiptarë të Organizatës botërore kundër korrupsionit Transparency International dhe  drejtues të Forumit shqiptar Mendimi i Lirë, Topi apeloi për një fushatë të qetë e qytetare.

Sipas Topit, vendi ka nevojë për realizimin me sukses të këtyre zgjedhjeve përmes një procesi të drejtë e korrekt zgjedhor dhe sipas standardeve demokratike, duke konsideruar si të domosdoshme prezantimin e alternativave bindëse në shërbim të qytetarëve dhe uljen e tensioneve të panevojshme.

Kreu i shtetit theksoi nevojën e shmangies së dhunës fizike gjatë fushatës zgjedhore, e cila vjen natyrshëm pas dhunës verbale të përdorur nga disa kandidatë, sepse përgjegjësia e plotë për këto do të bjerë vetëm mbi partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre.

Sa për transparencën e financimit të partive, një nga temat e takimit të zhvilluar, presidenti e cilësoi shumë të rëndësishme bërjen transparente të financimeve të partive politike dhe fushatës, në përputhje dhe zbatim të ligjit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›