E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi Jo harrese per te persekutuarit

20 vjetorin e rrëzimit të simbolit të komunizmit, Presidenti i Republikës Bamir Topi e ka shfrytëzuar për të nderuar ish-të përndjekurit politik dhe për t’i bërë thirrje institucioneve dhe shoqërisë të mos lënë në harresë këtë pjesë të historisë sonë. Pas vlerësimit me tituj nderi dhe mirënjohjeje ndaj 27 emrave që i rezistuan në mënyrë mbi njerëzore diktaturës së egër, presidenti Topi, tha se deri tani drejtësia dhe historia janë të vonuara.

"Dhuna e ushtruar nga sistemi diktatorial komunist ndaj të gjithë atyre që mendonin dhe vepronin ndryshe nga kasta në pushtet, duhet demaskuar dhe dënuar publikisht dhe historikisht. Vetëm në këtë mënyrë mund të flasim për një shtet të konsoldiuar të së drejtës, për një drejtësi të vonuar, po jo të mohuar dhe për një demokraci të konsoliduar", tha Bamir Topi, president i Republikës.

Gjithashtu kreu i shtetit i sugjeroi institucioneve kulturore të mos lënë në harresë sakrificën e këtyre njerëzve. "Demokracia që ne po përpiqemi të ndërtojmë me aq mund, sakrifica dhe përkushtim për më shumë se dy dekadash vërtetë që nuk duhet dhe nuk mund ti ketë themelet e veta mbi harresën", tha Topi.

Nderimi për herë të parë nga kreu i shtetit edhe në prani të ambasadorëve, u vlerësua nga përfaqësuesit e shtresës së të përndjekurve. Pas ceremonisë u cel një fotoekspozitë me dokumenta dhe dëshmi nga koha e regjimit komunist në Shqipëri.

Aurela Papadhima

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›