Topi: Kosova do të ketë vazhdimisht mbështetjen e Shqipërisë

Krasniqi po merr pjesë në punimet e sesionit vjeshtor të Asamblesë me ftesë të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.
Gjatë takimit me presidentin Topi, kryekuvendari Krasniqi foli për proceset aktuale në Kosovë, duke u ndalur edhe në zhvillimet në veri të vendit.
“Veprimet e institucioneve tona ishin veprime të domosdoshme, sepse ka pasur mosveprim të institucioneve ndërkombëtare. Strukturat e jashtëligjshme në veri udhëhiqen nga politika e Beogradit”, theksoi ai.
Në vijim kryetari Krasniqi foli edhe për Raportin e Progresit, çështjen e liberalizimit të vizave, si dhe për çështje të tjera aktuale, siç është reforma zgjedhore, zhvillimi ekonomik etj.
Krasniqi e falënderoi presidentin Topi për mbështetjen që Shqipëria po i jep Kosovës, duke shprehur besimin se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë do të thellohet edhe më shumë.
Kurse presidenti shqiptar Bamir Topi theksoi se ndihet krenar me të arriturat e Kosovës, ndërkaq duke i bërë një vështrim bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, theksoi se ato duhet të vazhdojnë dhe shprehu inkurajim për këtë dialog.
Në vazhdim presidenti Topi foli për infrastrukturën, përkatësisht për Rrugën e Kombit, vepër kjo madhore, e cila duhet të shpejtojë edhe më bashkëpunimin e komunikimin në mes qytetarëve dhe institucioneve ndërmjet dy vendeve.
“Në fushën e ekonomisë, sidomos në lëmin e bujqësisë, kjo rrugë ofron mundësi më të mëdha bashkëpunimi”, tha Topi.
Presidenti shqiptar theksoi se Kosova do të ketë vazhdimisht mbështetjen e presidentit dhe të institucioneve tjera të Shqipërisë.
Ndryshe punimet e sesionit vjeshtor të Asamblesë së Përgjithshme Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik në Rajonin e Detit të Zi, që po mbahen në Tiranë, kanë nisur prej 21 nëntor dhe do të zgjasin deri më 23 nëntor.
Temë e këtij sesioni, në të cilin pos kryeparlamentarëve nga Kosova dhe Shqipëria, marrin pjesë edhe 150 biznesmenë turq dhe 200 sipërmarrës shqiptarë, është bashkëpunimi ekonomik dhe investimet në rajon.