Në Kamboxhë filloi procesi kundër Kmerëve të Kuq

Gjykata për Krime të Luftës e Kamboxhës, e mbështetur nga Kombet e Bashkuara, e ka filluar procesin e pritur gjatë kundër tre liderëve më të lartë të mbijetuar të Kmerëve të Kuq, më se tri dekada pas përmbysjes se regjimit maoist të terrorit.
Nuon Çea, i njohur si “vëllai numër dy”, ish-shefi i shtetit, Kieu Samphan dhe ish- ministri i Jashtëm, Ieng Sari, janë të akuzuar për gjenocid, krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.
Të akuzuarit, që të gjithë më të vjetër se 80 vjeç, i kanë hedhur poshtë akuzat.
Afro 1.7 milion njerëz, pothuajse një e treta e popullsisë, mendohet se janë vrarë, apo kanë vdekur nga puna e tepërt ose nga uria, gjatë regjimit të Kmerëve të Kuq, në periudhën 1975 – 1979.
Ish-lideri suprem, Pol Pot, i njohur si “vëllai numër një”, vdiq në vitin 1998, pa u ballafaquar me proces gjyqësor.