Priten zgjedhje dhe organizim në strukturat e brendshme të PS-së së rrethit
Pas zhvillimit të punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste të dielën e kaluar, priten zgjedhjet dhe organizimi në strukturat e brendshme të kësaj partie në rrethe. Zgjedhja e kryetarit të PS-së të rrethit dhe organizimi i Asamblesë Socialiste të Rrethit do të bëhet në bazë të Statutit të ri të PS-së. Statuti rikthen kryetarin socialist të rrethit dhe Asamblenë Socialiste të Rrethit, duke kufizuar rolin dhe kompetencat e strukturës socialiste të qarkut. Në këtë mënyrë bie funksioni i sekretarit rajonal të qarkut, duke fuqizuar rolin e rrethit. Paketa e ndryshimeve në Statut, e hartuar nga grupi i punës prej një pune 7-mujore, ka pësuar në kongres një sërë ndryshimesh rrënjësore, të cilat kanë ardhur si propozime nga delegatët e PS-së. Ishte sekretari Organizativ Blendi Klosi ai që bëri të njohura ndryshimet e bëra në të, por përfshiu në paketën e re edhe propozimet e delegatëve të kongresit.
Zgjedhja
Statuti i ri redukton aplikimin e parimit "një anëtar, një votë", duke e lënë atë atribut vetëm për zgjedhjen e kryetarit të PS-së në rreth dhe delegatëve të kongresit. Kryetari i PS-së së rrethit në bazë të parimit “një anëtar një votë” zgjidhet me votim të fshehtë nga mbledhja e zgjeruar e Asamblesë Socialiste të Rrethit. Kandidaturat për këtë post miratohen nga Kryesia e PSSH-së. Mandati kryetarit të PS-së së rrethit është 4-vjeçar. Ai është automatikisht dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare. Zgjedhja e kryetarit të PS-së së rrethit zhvillohet ndryshe nga zgjedhja e kryetarët e bashkive dhe komunave, të cilët nuk zgjidhen më sipas parimit “një anëtar, një votë”, por nga anëtarët socialistë të komunave dhe bashkive.
Organizimi
Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste në rreth do të marrin pjesë kryetarët e bashkive dhe të komunave, kryetarët e këshillave përfaqësues të kësaj partie, kryetarët e grupeve të këshilltarëve socialistë, koordinatorët e forumit të grave, si dhe kryetarët e FRESSH-it dhe FGSH-së së rrethit.
Ndryshimet
Përveç rikthimit të kryetarit të Partisë Socialiste të rrethit dhe Asamblesë Socialiste të Rrethit, drafti i Statutit të ri synon forcimin e disiplinës së brendshme në PS, ku përcaktohet për herë të parë se vendimi i shumicës duhet të zbatohet edhe nga pakica, pasi është votuar. "Disiplina në parti bazohet në konvergjencën e mendimeve për alternativat e zhvillimit. Pas votimit të vendimit zbatohet vullneti i shumicës", - thuhet në nenin 1 të parimeve themelore të Statutit të PS-së. Në Statutin e ri nuk kanë ndryshuar masat disiplinore ndaj shkeljes së vendimeve të forumeve të PS-së. Në Statutin e ri, që në fillim përcaktohet se "PS-ja është parti e majtë demokratike", ndërsa në Statutin aktual ajo përcaktohet si parti moderne e qendrës së majtë. Për herë të parë PS-ja përcaktohet si parti elektorale dhe funksionale, duke përcaktuar në Statut parimin se nga parti funksionale, PS-ja shndërrohet edhe në parti elektorale, ku organizimi i saj intensiv do të jetë më shumë gjatë fushatave elektorale. Në kongres, delegatët u njohën edhe me projekt-programin politik të PS-së, për të cilin u kërkua që të mos miratohej, por vetëm të hapej rruga për një diskutim të gjerë të tij në të gjitha strukturat e bazës. Programi trajton për herë të parë me vëmendje edhe çështjen e ish-të përndjekurve politikë dhe të ish-pronarëve.
Statuti
• Aplikimi sipas parimit "një anëtar, një votë", është atribut vetëm për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Socialiste në rreth dhe delegatëve të kongresit.
• Kryetari i Partisë Socialiste të rrethit, në bazë të parimit “një anëtar, një votë”, zgjidhet me votim të fshehtë nga mbledhja e zgjeruar e Asamblesë Socialiste të Rrethit. Kandidaturat për këtë post miratohen nga Kryesia e PSSH-së. Mandati kryetarit të PS-së së rrethit është 4-vjeçar. Ai është automatikisht dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare.
• Ngritja në nivel rrethi i një strukture vendimmarrëse, si Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, në të cilën do të marrin pjesë kryetarët e bashkive dhe të komunave, kryetarët e këshillave përfaqësues të kësaj partie, kryetarët e grupeve të këshilltarëve socialistë, koordinatorët e forumit të grave, si dhe kryetarët e FRESSH-it dhe FGSH-së së rrethit.
Protestë në shkollën e mesme në Papër të Elbasanit
Për dy ditë rresht nxënësit e shkollës së mesme të përgjithshme në Papër të rrethit Elbasan, kanë ndërprerë mësimin dhe kanë protestuar kundër vendimit të Drejtorisë Arsimore të rrethit Elbasan. Vendimi politik i kësaj drejtorie ka shkarkuar nga detyra nëndrejtoreshën e shkollës Anife Bullari, një nga mësueset më të vjetra në këtë shkollë dhe me përvojë të gjatë drejtimi. Në vend të saj ka ardhur një zëvendësues militant i Partisë Demokratike. Me kërkesë të vetë nxënësve të kësaj shkolle, për ta mbështetur këtë protestë, ishte i pranishëm edhe deputeti i Partisë Socialiste, Agim Leka. Gjatë fjalës së tij, deputeti socialist u shpreh se ky shkarkim ishte një lëvizje për motive politike, dhe se nxënësit kanë të drejtë të protestojnë. “Tani shkolla është e politizuar më shumë se asnjëherë. Pushteti vazhdon kërcënimin e mësuesve jo vetëm në këtë shkollë, por kudo në Elbasan duke luajtur me vendin e punës së tyre. Edhe sot në këtë shkollë duket sheshit se nxënësit janë të frikësuar nga mësuesit partiakë të PD-së”, – është shprehur ai.
21 Prill 2010