E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli takim me homologun Krasniqi, diskutohet diplomacia parlamentare dhe vizat Kryeetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi

Shqipëria dhe Kosova do të nënshkruajnë shumë shpejt marrëveshje të reja bashkëpunimi veçanërisht për lehtësimin e bashkëpunimit ekonomik, përveç zbatimit më intensiv të 58 marrëveshjeve ekzistuese. Bazuar në marrëdhëniet unike mes dy vendeve në rajon,bashkëpunimi mes qeverive, parlamenteve, intitucioneve, por dhe midis dy vendeve përbën një model të përkrahjes për të ecur përpara. Konkretizimi i mëtejshëm dhe intensifikimi i kësaj marrëdhënieje të veçantë u diskutua gjatë një takimi mes kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria dhe Kosova po jetojnë momente historike. “Kosova ndodhet përpara proceseve të mëdha, ashtu si edhe Shqipëria është në një vit shumë të rëndësishëm, ku pritet heqja e vizave dhe opinioni i KE-së për statusin e vendit kandidat”, deklaroi ajo. Parlamenti i Shqipërisë, tha kryetarja e Kuvendit, ka miratuar këtë periudhë rreth 116 ligje, si dhe është plotësuar çdo detyrim për heqjen e vizave. Sipas saj, paralelisht po lobojnë me vendet e BE-së për një vendim sa më të shpejtë për këtë çështje. “Diplomacia parlamentare tha ajo është shumë e rëndësishme, veçanërisht në kohërat që po jeton Shqipëria dhe Kosova. Lobimi intensiv është një faktor thelbësor në përshpejtimin e proceseve si të njohjes së pavarësisë së Kosovës, ashtu si edhe për Shqipërinë, për heqjen e vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat”, u shpreh Topalli. Kryetari Krasniqi tha se “për heqjen e vizave për Shqipërinë gëzohemi si ç’do të gëzoheshim për veten tone. Përshpejtimi i Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit i jep edhe Kosovës një shpresë të madhe për të ecur përpara.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›