Topi: Kufizimi i mandatit të kryetarëve të gjykatave, standard i ri i reformës në sistemin e drejtësisë
Këshilli i Lartë i Drejtësisë i mbledhur dje nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, vendosi kufizimin e mandateve të kryetarëve të gjykatave. Sipas vendimit të KLD-së, kryetarët e gjykatave do të qëndrojnë në këtë detyrë vetëm për katër vjet. Në cilësinë edhe të kreut të KLD-së, presidenti Topi deklaroi se kufizimi i mandatit është një standard i ri i reformës në drejtësi, por gjithashtu që kufizimi të mos prekë të gjithë sistemin gjyqesor, por vetem postet më kyce të tij. “Është një moment shumë i rëndësishëm në filozofinë e re dhe në strategjinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e cila sot konsiderohet me një frymë të re në këtë sens, duke i dhënë mundësi që edhe në sistemin gjyqësor, pozicionet e kryetarëve dhe të zv/kryetarëve të gjykatave të dalin nga ajo situatë, e cila, për hir të së vërtetës, në mjaft raste ka krijuar kushte për klientelizëm, për nepotizëm, për një mungesë të dialektikës së zhvillimit edhe në këto pozicione shumë të rëndësishme”, tha Presidenti Topi. Ai vuri në dukje se “është pikërisht përçimi tek publiku i asaj fryme që Këshilli i Lartë i Drejtësisë kërkon që të zbatojë, pikërisht tek nevoja e rinovimit, e kufizimit të mandateve, ajo që është kërkuar prej kohësh edhe për pozicione të tjera, në mënyrë që të shkojmë në sinkron me të gjithë logjikën e pozicioneve kushtetuese, e pozicioneve administrative, që përcaktohen nga Kushtetuta dhe ligji”. “Pra, nuk po bëjmë asgjë të jashtëzakonshme, po shkojmë me një frymë që është bashkëkohore, është një frymë evropiane, është frymë tek e cila të gjitha institucionet e shtetit duhet të shkojnë në mënyrë të sinkronizuar”, tha më tej Topi.
Presidenti Topi shtoi gjatë mbledhjes së KLD ku u mor vendimi për kufizimin e mandatit të kryetarëve të gjyakatave, se Këshilli i Lartë i Drejtësisë është përfshirë në një frymë diskutimi paraprak, që ka të bëjë pikërisht me atë rol jetik që ka ky institucion si organi kryesor i qeverisjes së pushtetit gjyqësor për t’i dhënë mundësi dinamizimit të këtij sistemi që nga publiku, nga strukturat e institucioneve më të rëndësishme evropiane kërkohet që të reformohet, kërkohet që të japë modele të reja, modele që i shkojnë për shtat standardeve evropiane, modele të cilat garantojnë një funksionim afatgjatë dhe korrekt të të gjithë këtyre strukturave që tek e fundit garantojnë shtetin e së drejtës në shërbim të interesit të qytetarëve. Gjithashtu, Kreu i shtetit Bamir Topi foli me nota pozitive edhe për kontrollet e ushtruara së fundi në gjykatat e retheve. Ndërkaq, gjatë mbledhjes së dkeshme të KLD-së janë liruar nga detyra 14 kryetarë gjykatash.
Republikanët: Realizimi i plotë i reformës në drejtësi kërkon përmirësimin e kuadrit ligjor në të gjitha hallkat e sistemit/Partia Republikanë ka shprehur dje se reformimi i sistemit të drejtësië duhet të përfshijë të gjithë hallkat e sistemit të drejtësisë në mënyrë që konkretizohet në një reformë cilësore dhe jetë gjatë. Duke vlerësuar si një hap tepër të rëndësishëm diskutimet që po bëhen për organizimin dhe funksionimin e gjyqësorit, nënkryetari i Partisë Republikane, Aleksandër Garuli, deklaroi ky “është një projektligj që shënon një hap madhor për reformën në drejtësi, por realizimi i plotë i kësaj reforme kërkon përmirësimin e kuadrit ligjor në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë”. “Kjo reformë përbën domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm të vendit, sidomos për faktin se drejtësia është aktualisht hallka më e dobët e pushteteve në luftën kundër korrupsionit. PR vlerëson konsensusin e arritur ndërmjet partive politike të maxhorancës dhe opozitës, për realizimin e reformës në drejtësi. Hapi i parë për realizimin e kësaj reforme është padyshim projektligji mbi organizimin e pushtetit gjyqësor”, tha Garuli. Në këtë drejtim, ai vlerësoi se ky projektligj është një arritje e rëndësishme për reformimin e sistemit gjyqësor, pasi respekton të drejtat e gjyqtarëve, siç janë emërimi, qëndrimi në detyrë, karriera e përshkallëzuar, lëvizja dhe transferimi nga detyra, baza e shpërblimit të pagave dhe imuniteti i gjyqtarëve. Njëkohësisht, Garuli vuri në dukje se “projektligji përcakton saktësisht përgjegjësitë e gjyqtarëve, procedimin disiplinor, shkarkimin nga detyra dhe forcimin e inspektimit ndaj punës së tyre”. “Me inspektimin e dyanshëm, projektligji e koncepton pushtetin gjyqësor jo si një hallkë të shkëputur, por si njërën prej hallkave të përbashkëta të zinxhirit të shtetit, që funksionojnë së bashku në dobi të qytetarit. Këta elementë të projektligjit shprehin pavarësinë e gjyqësorit, duke shmangur pretendimet abuzive për pavarësi individuale dhe mungesë kontrolli ndaj punës së gjyqtarit”, nënvizoi Garuli. Ai shtoi më tej se reforma në drejtësi duhet të përfshijë edhe përmirësimin apo hartimin e ligjeve të tjerë po kaq të domosdoshëm, si ligji mbi funksionimin e Gjykatës së Lartë, ligji për Shkollën e Magjistraturës dhe ligji i Procedurës Penale, mbi bazën e të cilit operojnë strukturat e gjyqësorit. Gjithashtu, Garuli u shpreh se “reforma duhet të konsistojë edhe në përmirësimin e ligjit mbi Prokurorinë e Shtetit, që megjithëse nuk është pjesë e sistemit gjyqësor, ka ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e tij”. “Drejtësia reformohet nëse konsensusi politik shtrihet në të gjithë segmentet e saj, në të kundërt, do të mjaftonte vetëm një segment i pareformuar që i gjithë mekanizmi të mos funksiononte”, vuri në dukje Garuli. Ndërkaq, një cështje tjetër që ka të bëjë me reformat është edhe ajo zgjedhore. Në këtë drejtim Partia Republikane u bëri thirrje faktorëve politikë në vend që ti largohen interesit partiak dhe të përqendrohen në problematikën shqiptare. Nënkryetari i Partisë Republikane, Aleksandër Garuli, vuri në dukje se duhet të ruhet pragu aktual elektoral. Përse u takon vonesave dhe shtyrjeve të komisionit për reformën zgjedhore, Garuli shprehu se “politika shqiptare, me problemin e reformës në drejtësi, ka treguar se në momentet e fundit, di të gjejë gjuhën e konsensusit dhe të dalë nga situata e kolapsit kur flitet për interesa madhore”. “Duke patur parasysh afrimin e datës për anëtarësimin e vendit në NATO, shpreh bindjen se në momentin e duhur, pavarësisht nga këto vonesa dhe humbje të tepërta kohe, brenda një afati limit, do të bëhet diçka edhe për reformen zgjedhore”, theksoi Garuli. Lidhur me rëndësinë që partitë e vogla kanë në vendimmarrje për çështjet e reformës zgjedhore, Garuli theksoi se “nëse në të gjitha reformat kemi dy kampe politike, maxhorancën dhe opozitën, reforma zgjedhore jo vetëm në Shqipëri, por kudo, ka të bëjë me gërshetimin e interesave të ndryshme të partive, pra jo vetëm me partitë e mëdha, por edhe me partitë e tjera të vogla”. “Të lë pak shije të hidhur humbja e kohës për këto reforma, sepse të krijohet përshtypja se dy partitë e mëdha e çojnë qëllimisht në limit kohe proçesin, për ta vënë përpara faktit të kryer e për të shmangur ato konflikte që mund t'i lindin nga aleatët e tyre, qofshin këta të mesëm apo të vegjël”, nënvizoi më tej ai.
Ligjet, vazhdojnë diskutimet për pjesën e mbetur të projektligjit për organizimin e gjyqësorit, paga gjyqtarëve në rendin e ditës/Komisioni parlamentar i ligjeve ka vijuar gjatë ditës së djeshme diskutimet për pjesë të ndryshme të projektligjit ‘Për organizimin e pushtetit gjyqësor në vend’. Kështu në rendin e ditës së djeshme, komisioni I ligjeve ka vijuar debatin në lidhje me pagat e gjyqtarëve. Në këtë drejtim, nënkryetari i komisionit parlamentar të ligjeve, Fatmir Xhafaj, duke informuar në kuadër të ligjit për organizimin e gjyqësorit, deklaroi se komisioni ka shqyrtuar disa çështje që kanë të bëjnë me rregullimin e karrierës, proçedimin disiplinor, por edhe dy nene të rëndësishme, të cilat kanë lidhje me pagat e gjyqtarëve. Sipas tij, kanë mbetur disa probleme të cilat nuk kanë marrë ende zgjidhje, por që pritet të diskutohen dhe miratohen javën e ardhshme. “Ne kemi propozuar një rirregullim të ri të sistemit të pagave që të marrin në konsideratë edhe karrierën e tyre. Ministria e Financave po punon për një variant të ri, i cili do të marrë formë së shpejti, në përputhje edhe me Kushtetutën”, deklaroi nënkrytari socialist I komisoni. Sipas tij, BE nuk bën propozime të drejtpërdrejta në këtë proces, por realisht ka një mision të saj i cili asiston Këshillin e Lartë të Drejtësisë, lidhur me çështjen e procedimit disiplinor, në një kuadër më të gjerë ligjor, dhe në veçanti për çështjen e inspektimeve ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së. “Proçesi duhet të jetë i ndarë në faza, pasi Ministri ka të drejtën e nisjes së procedimit disiplinor, ndërsa KLD ka të drejtën kushtetuese për të vendosur mbi këtë nisëm të ministrit. Ky projektligj kap thelbin kryesor për mënyrën e procedimit disiplinor, por nuk i jep zgjidhje përfundimtare atij”, tha më tej ai.