E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Mbështesim antarësimin e Kosovës në NATO

Presidenti Bamir Topi ka konfirmuar sot se Shqipëria mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO. Duke folur në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të “Kartës Adriatik” –SHBA në Durrës, kreu i shtetit Topi theksoi se integrimi i të gjitha vendeve në NATO është një garanci për paqen në të gjithë rajonit.
“Shqipëria konfirmon mbështetjen e plotë dhe dëshirën e madhe që të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe shtetin më të ri, Kosovën, të bëhen pjesë e projektit të përbashkët euroatlantik. Bindja jonë është se integrimi i të gjitha vendeve në NATO, përbën një garanci reale për forcimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit demokratik afatgjatë në të gjithë rajonin. Përvoja e deritanishme me vendet tona është dëshmi e kësaj bindjeje, por edhe e suksesit të politikës së dyerve të hapura të NATO ndaj çdo vendi tjetër aspirant” ka theksuar Topi.
Më tej Topi ka theksuar se ende ka politika dhe qarqe të cilat të ardhmen e shohin përmes projekteve nacionaliste duke cënuar parime e vlera të shenjta për demokracinë. Duke iu referuar ngjarjet në Kosovën veriore theksoi se është e rëndësishme të të ketë politika refuzuese ndaj çdo projekti të tillë izolues.
“Me rëndësi themelore mbetet një vullnet i qartë politik refuzues ndaj çdo projekti të tillë, izolimi i çdo ideje që tenton të rishpallë dhe rivendosë vija ndarëse etnike dhe mbështetja e çdo politike e qëndrimi që e sheh të ardhmen aty ku të gjithë popujt tanë duan. – në bashkimin e plotë me vlerat, parimet euroatlantike” ka theksuar Topi.
Kreu i shtetit Topi ka theksuar më tej se Shqipëria do të jetë aktive në misionet e saj paqeruajtëse në Afganistan dhe në çdo projekt tjetër në kuadër të NATO-s. “Për ne mbetet e rëndësishme forcimi më tej i marrëdhënieve edhe me vendet e tjera në NATO, sidomos me partnerin kryesor mbështetës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me vende të tjera me rol inspirues në NATO. Falë ndihmës së tyre shumëvjeçare rajoni ynë sot përbën një realitet normal evropian, falë ndihmës së tyre Shqipëria është sot edhe anëtar në NATO, falë mbështetjes së tyre rajoni ynë mund të bëjë akoma më shumë përpara në funksion të sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë” ka shtuar Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›