Fajon: Shqipëria, hapa pozitiv për integrimin
Eurodeputetja Tania Fajon ka deklaruar sot se problemet e brendshme nuk do ta pengojnë BE-në të njohë progreset e Shqipërisë. Duke folur në takimin e katërt ndërparlamentar për stabilizim-asocimin mes Shqipërisë dhe BE-së, Fajon theksoi se vendi ynë ka bërë progres në hapat drejt BE-së duke shtuar se shpreson që sot liderët në Bruksel pavarësisht krizës të dërgojnë mesazhe të mira për Shqipërinë.
Duke iu referuar liberalizimit të vizave për Shqipërinë, eurodeputetja Fajon theksoi se vendi ynë e meritoi heqjen e vizave ndërsa shtoi se beson se do të plotesohen edhe kriteret e tjera për anëtarësimin në BE.
“Jemi duke diskutuar çdo ditë mekanizmin e ri, të propozuar nga PE për pezullimin e përkohshëm të vizave. Shumë gjëra janë në rrezik, si marrëveshja Shengen dhe mbështetja për regjimin e vizave në vendet e treta. Situata është kritike që kërkon angazhim nga ana jonë, gjithashtu që vendet e Ballkanit Perëndimor që të mos pengohen të udhëtojnë në BE. Zgjerimi po bëhet i ndërlikuar. Kërkesat janë shumë të larta. Krimi dhe lufta kundër kurrupsionit, kemi vendos masa të reja. Në kapitullin 23 dhe 24 që përfshin gjyqësorin, qytetarët, lirinë e shprehjes do shihen me vëmendje",-theksoi Fajon
Ajo gjithashtu theksoi se liria e medias është një nga çështjet kryesore që politika duhet të shikojë pasi sipas saj ajo është shtylla kryesore që monitoron punën e institucioneve.
“ Liria e medias, kam qenë gazetare për shumë vite, kam kontakte të mira me gazetarët në Shqipëri dhe përtë qenë e sinqertë dy media janë ende të pavaruara. Nuk mund të ketë gjykim politik në media. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, është e rëndësishme të kemi liri të medias dhe shprehjes. Është e rëndësishme që të punoni që media të jetë e lirë dhe gazetarët të jenë besueshëm dhe të balancuar",ka shtuar më tej Fajon.