Topi: Momenti të hyjmë pa viza në BE
Pas thirrjeve të shqiptarëve 20 vjet më parë, “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka bindjen e plotë se tani është momenti që shqiptarët të hyjnë pa viza në BE dhe të sigurt drejt rrugës për në familjen evropiane. Gjatë një interviste dhënë për “U.S. News” dhe “World Report”, kreu i shtetit shqiptar kujton ëndrrën evropiane të shqiptarëve për t’u dhënë rëndësi hapave që Shqipëria ka hedhur drejt realizimit të saj, integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. Duke folur për strategjinë e Shqipërisë për hyrjen në BE, Topi prezantoi një situatë mjaft pozitive. “Unë them që ecuria është pozitive. Nuk mund t’ju them një datë, sepse nuk jam unë ai që përcaktoj “deadline”-in e këtij procesi, por jam i bindur që është një proces që do të finalizohet sa më shpejt. Të gjithë mendojnë për liberalizimin e vizave, sepse është e natyrshme që njerëzit përpara se të mendojnë për gjëra shumë të mëdha, mendojnë për lëvizjen e tyre të lirë”, - deklaroi ai. Kryetari i shtetit shtoi më tej: “Është momenti që shqiptarët të lëvizin përfundimisht të lirë. Aq më shumë që tek çdo shqiptar, sikurse thashë, ndihet akoma sindroma e izolimit. Është bërë një punë e jashtëzakonshme edhe për përafrimin e legjislacionit me legjislacionin e vendeve të Bashkimit Evropian. Ka një sërë projektesh që janë në zhvillim dhe unë besoj që për këtë çështje, brenda një kohe relativisht të shkurtër, ne do të jemi vend me të drejta të plota në BE”.