Rama e Ngjela çojnë marrëveshjen detare në Kushtetuese
Aleanca e re mes Edi Ramës dhe Spartak Ngjelës nuk po funksionon vetëm për interesin e votave të 28 qershorit. Takimet mes tyre janë më të shpeshta dhe duket se konsulenca e avokatit, ish-deputet i PD-së, po i hyn shumë në punë kreut të PS-së. Pas një takimi që patën dje bashkë, ata kanë vendosur të hedhin në gjyq marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufijve. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, njoftoi dje se është rënë dakord me përfaqësues politikë të majtë dhe të djathtë që marrëveshja për hapësirën detare me Greqinë të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese. "Ramë dakord që të nënshkruanim ankimimin për ta paraqitur në Gjykate. Kjo marrëveshje është krejtësisht e pavend dhe e padenjë, ndaj duhet të zmbrapset për të krijuar kushtet që të ketë një rinegocim, ku ata që përfaqësojnë vendin, ta bëjnë këtë denjësisht dhe në respekt të plotë të fqinjësisë së mirë", - tha Rama. Ndërkaq, kryetari i PLD-së, Spartak Ngjela, kërkoi nga Presidenti i Republikës të reagojë, pasi situata po degradon. "Është themelore çështja e lirisë dhe demokracisë, sepse në Shqipëri ka një grup njerëzish të predispozuar të shesin gjithçka", - tha Ngjela, ndërsa Rama ka ngritur një grup ekspertësh partiakë që po e studiojnë këtë çështje për të përcaktuar dhe mënyrat ligjore të reagimit. Gjykata Kushtetuese është gjykata më e lartë në vend që interpreton Kushtetutën dhe përcakton nëse një ligj apo marrëveshje e caktuar ka thyer nenet kushtetuese.