E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD, replika per presionin ndaj Kolegjit

Dy ditë para se Kolegji Zgjedhor të marrë në shqyrtim dhe të japë vendimin për kërkesën e socialistëve për pavlefshmëri të procesit të votimit në 284 qendra votimi, Partia Socialiste i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha dhe mazhorancës që të ndalë atë që ajo e konsideroi dhunë ndaj trupës gjykuese. Ka qenë nënkryetari i grupit parlamentar, Sajmir Tahiri, ai që gjatë një komunikimi të posaçëm me mediat i ka denoncuar format e ndryshme të presionit që, sipas tij, mazhoranca e djathtë po i bën Kolegjit Zgjedhor për të mos dhënë drejtësi në çështjen që ka në shqyrtim. Ndaj ai ka theksuar se është koha që shumica qeverisëse të lërë drejtësinë të japë drejtësi. “Është koha që Kryeministri të ndalë presionin dhe dhunën ndaj Kolegjit Zgjedhor, në cilëndo mënyrë, të hapur apo të fshehtë. Është koha që drejtësia të bëjë drejtësi. Është koha që kultura e pandëshkueshmërisë sot e kthyer në sistem për zyrtarët e korruptuar në qeveri, të mos kthehet në sistem për të mbajtur në këmbë manipulimin e zgjedhjeve nga po i njëjti pushtet”, - tha Tahiri. Duke e konsideruar këtë çështje si provën për shtetin e së drejtës, deputeti socialist i ka bërë apel edhe vetë trupës së gjyqtarëve që të përballojnë presionet dhe të respektojnë misionin e tyre kushtetues, respektimin e ligjit. “Drejtësia shqiptare është para një prove jetike për demokracinë shqiptare dhe për vetë gjyqësorin, në kushtet e një procesi zgjedhor të shkatërruar fund e krye nga KQZ e Ristanit, e Saliut, ku çdo rregull ndryshohet sipas nevojave të pushtetit e ku vullneti i qytetarëve është shqetësimi më i vogël, kur presioni dhe dhuna e pushtetit është më evidente se kurrë, Kolegjit Zgjedhor i ka lindur detyrimi historik për të gjykuar mbi kutitë e shqyera të KQZ, mbi votat pa kuti e kutitë pa vota, mbi llogaritë e Ristanit që janë gabim trashanik për çdo nxënës të klasës së parë, si dhe për të rivendosur parimet e shtetit të së drejtës, duke garantuar themelin e demokracisë që sot më shumë se kurrë kërcënohet nga korrupsioni e dhuna e Kryeministrit”, - u shpreh Tahiri. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i selisë blu, e cila i ka konsideruar deklaratat e Tahirit si forma shantazhi ndaj institucioneve ligjore siç është në rastin konkret edhe Kolegji Zgjedhor. “Të gjithë e dinë se dhunë dhe presion në këtë proces ka ushtruar vetëm z. Rama. I pakënaqur nga rezultati i zgjedhjeve dhe nga vendimet e institucioneve të pavarura, z. Rama ka ushtruar vazhdimisht shantazh, ndaj KQZ dhe ndaj Kolegjit Zgjedhor. Dhuna verbale e z.Rama tashmë është bërë e bezdisshme për të gjithë”, - tha zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj, teksa ka ripërsëritur edhe një herë vullnetin e partisë që ajo përfaqëson për të pritur vendimin e Kolegjit dhe për të pranuar çdo rezultat. Ndërkohë sot PD pritet të dorëzojë në Kolegj padinë për mandatet e këshillave të 10 minibashkive, që nuk u shpallën dot për shkak të mungesës ë kuorumit në KQZ.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›