E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Negocioj, vetëm kur të më kërkohet nga të dy palëtNga Blendi FevziuPresidenti i vendit, Bamir Topi, flet në emisionin “Opinion” në TV Klan Cili është përcaktimi ose etiketimi që mund t’i bëni zgjedhjeve të 28 qershorit? Patjetër që janë a

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Topi: Negocioj, vetëm kur të më kërkohet nga të dy palëtNga Blendi Fevziu

Presidenti i vendit, Bamir Topi, flet në emisionin “Opinion” në TV Klan

Cili është përcaktimi ose etiketimi që mund t’i bëni zgjedhjeve të 28 qershorit?

Patjetër që janë ato që jepen nga KQZ, nga Gjykatat e Apelit dhe nga monitorët. Referuar raportit të OSBE/ODIHR, aty ka një raport shumë kompleks, i cili jep arritjet, natyrisht që jep edhe defektet. Besoj që është një raport që është pranuar nga partitë politike. Së paku partitë politike nuk i referohen negativisht këtij raporti, por i referohen në mënyrë shumë të kujdesshme, sepse presupozohet që monitorët ndërkombëtarë janë arbitra të specializuar në këtë drejtim. Nuk ka dorë subjektivizmi dhe jemi të prirur që ta pranojmë, ashtu sikurse ata e kanë demonstruar. E thënë ndryshe, në trajtën e një raporti apo mesazhi, unë e kam thënë në fjalën inaugurale para deputetëve të parlamentit shqiptar.

Zoti president, partitë e opozitës ose një pjesë përveç PBDNJ kanë kërkuar hapjen e kutive dhe rinumërimin në disa nga zonat elektorale të vendit, dhe e kanë lënë këtë si kushtin bazë për hyrjen në parlament. Cili është opinioni juaj për atë që konsiderohet ose në gjuhën popullore quhet hapja e kutive?

Preferoj të mos ndërhyj në debatin politik të ditës. Janë pjesë e opsioneve politike të partive politike. Marr në konsideratë edhe faktin që ju thashë për zërin e presidentit në KQZ, që e kishte dhe nuk e ka, i jep pamundësinë presidentit për të qenë aktiv edhe në diskutimin në fjalë. Pra, fakti që iu referova KQZ, gjykatave dhe raportit të OSBE/ODIHR, unë preferoj ta kufizoj, ka inkapsuloj të gjithë bisedën në këto tri referenca. Pjesa tjetër është pjesë e një debati politik, e vullnetit politik të forcave politike, ku detyrimisht dëshira, tentativa për të përfshirë presidentin në këtë debat do të ishte e padobishme.

Zoti president, gjithsesi pak ditë më parë shtypi ishte shprehur që ju ishit vetofruar, në fakt nuk ishte korrekte si terminologji, për të bërë negociatorin midis dy palëve për një gjetjen e një zgjidhjeje për situatën. Mund të ma sqaroni këtë moment?

Më lejoni të bëj nëpërmjet jush, që jeni përfaqësues i nderuar i medies, një vërejtje miqësore për medien, për të cilën unë gëzoj një respekt të plotë dhe në çdo rast dhe në çdo lloj rrethane. Kur presidenti shprehet në mënyrë lakonike duhet patjetër për ta vënë në sinkron. Nuk mund të bësh koment mbi komente dhe mjafton një titër në një televizion e vënë gabim dhe atëherë kjo shërben për të deformuar totalisht mesazhin që jep presidenti. I pyetur nga gazetari ‘nëse është koha’, i thashë që “koha nuk është, sepse kam ardhur për një ngjarje tjetër, për të kujtuar profesorin e nderuar Teki Biçoku.” Për të respektuar medien i kam thënë pikërisht atë që shprehet në Kushtetutë, që në çdo kohë, për çdo gjë që është në funksion të dialogut, në parim, në princip kam thënë që presidenti është gjithmonë në pozicionin e vet kushtetues, por në rastin konkret e përkthyer ndryshe ose e perifrazuar ndryshe, gjithçka ka të bëjë me vullnetin politik të partive politike. Ka pasur mendime të ndryshme nga ana e medies që unë i kam dëgjuar dhe ju i keni dëgjuar se cili duhet të jetë roli i presidentit në këtë mjedis politik të trazuar. Duhet patjetër që të thellohem, të bëj një analizë më të thellë të situatës politike të të gjitha rrethanave që kanë sjellë një kompozim të ri të parlamentit, duhet patjetër.

ǒdo të thotë kjo?

Do të thotë që të mos mbesim në deklarata të thata metafizike pa iu drejtuar skemës politike sot në Shqipëri. Dikur, para ligjit të ri elektoral, ju e dini shumë mirë që parlamenti shqiptar kishte shumë parti politike.

Dhe ju keni marrë disa herë nisma për t’i mbledhur këto parti politike.

Patjetër kishte shumë aktorë, ndër ta mbas ligjit të ri patjetër që kemi një polarizim të jetës politike, pra nga të gjithë pranohet që janë dy faktorë kryesorë:

Partia Demokratike dhe ajo Socialiste.

Pra është shumë e thjeshtë për të identifikuar vullnetin politik tek aktorët politikë.

Unë nuk do të preferoja kurrë që të ndërmerrja një hap pa pasur shenja sado të dobëta të të gjitha palëve ose më mirë të dy palëve për të hyrë në një dialog dhe kjo është parimore dhe nuk ka të bëjë fare me rastin konkret, çka do të thotë që shprehja është keqinterpretuar, është deformuar dhe patjetër ka marrë një konotacion që sot vjen edhe në formën e një pyetjeje.

A mund të negociojë presidenti në situatën aktuale për të gjetur një zgjidhje midis të palëve?

Natyrisht, nëse do të kërkohet, pavarësisht nga situata, nga palët. Unë nuk shoh të ketë asnjë lloj sinjali. Nuk pres të ketë një lloj sinjali. Është një çështje e ballafaqimit politik të palëve, të cilat sikurse e kanë gjetur vullnetin në të kaluarën mund ta gjejnë edhe tani për të bashkëpunuar. Ajo që bën presidenti, që është në të drejtën e tij kushtetuese, besoj edhe në një pozicion qytetar, që do e bënte gjithsekush, do të inkurajonte dialog, por nuk mund të vetë-pozicionohet për t’u bërë mediator midis dy palëve që mund ta rregullojnë vetë gjithë klimën e dialogut.

Përse mund të negociojnë këto dy palë?

Kam ndjekur katër ditët e fundit me shumë vëmendje që e gjykojnë presidentin sipas mendimeve të komentatorëve. Një palë mund të negociojë, sepse ka një vendim gjykate, që në parim është i panegociueshëm dhe presidenti e respekton dhe një palë tjetër që thoshte që, pavarësisht vendimit të gjykatës, presidenti duhet të negociojë si palë për të gjetur një zgjidhje të krizës.

Për sa i përket çështjes së zgjedhjeve unë po e them në mënyrë shumë eksplicite: nuk futem në këtë debat! Nuk futem në këtë debat, sepse KQZ është e kompozuar me një profil partiak, çka do të thotë ka qenë vullneti i palëve për të ndërtuar KQZ. Nëse presidenti do të kishte një përfaqësues, atëherë do të ishte detyrim kushtetues dhe moral që të ndërhynte. Fakti që KQZ ka një kompozicion dhe program që e certifikon është përgjegjësia e tyre. Në mënyrën më absolute presidenti nuk duhet të futet te vendimi i gjykatave. Është kryetari i KLD. Ju e keni parë me vepra konkrete, kur janë rrëzuar vendimet e KLD nga Gjykata e Lartë, unë i kam përshëndetur. Në mënyrë absolute nuk kam ndërhyrë duke i dhënë të drejtën që i takon Gjykatës së Lartë. Pra është parimi i pavarësisë që ka dhe gjyqësori, sikurse nuk mund të influencojë në raport me OSBE/ODIHR, pra janë tri referenca që unë i ripërsëris që më japin të drejtën që të mbaj këtë pozicion që kam mbajtur dhe nuk e shoh të arsyeshme që të ndërhyj, sepse janë mekanizma, të cilat i kanë certifikuar. Janë ato, te të cilat partitë politike mund të gjejnë shpjegime.

Zoti Topi, a është Shqipëria sot në krizë të thellë politike? Opozita pretendon që është në krizë. Mazhoranca pretendon që gjithçka është duke ecur normalisht. Cili është gjykimi ose deklarimi juaj?

Presidentit të Republikës i intereson në radhë të parë stabiliteti i institucioneve. Së dyti, do të thosha dhe do të preferoja që institucionet të jenë të komplikuara në misionin e tyre. Kjo është dëshira e çdo presidenti, i cili është garant i Kushtetutës dhe është garant i të gjitha atyre mekanizmave rregullatorë, që rregullojnë jetën politike dhe shoqërore dhe natyrisht jam garant i unitetit të popullit, që do të thotë që populli, kur del në ditën e zgjedhjeve, patjetër shpreh vullnetin, preferencat për parti të ndryshme politike. I kam shërbyer kësaj klime në linja kushtetuese dhe ju besoj e keni konstatuar që kam qenë shumë i kujdesshëm për të mos qenë i njëanshëm, pavarësisht nga background-i im, sepse betimi i parë që bën presidenti, kur vjen në Presidencë, është paanësia. Të jesh i paanshëm natyrisht duhet të kesh një predispozicion të konstitucionit të karakterit dhe mënyrës së sjelljes, të komportimit. Nuk është një gjë shumë e thjeshtë, atë që të thuash, atë ta realizosh. Kjo mund të sjellë dhe pakënaqësi të çastit, por ky është detyrimi, detyrimi kushtetues, është detyrimi që e ke para kolegëve të tu, para atyre që të kanë zgjedhur duke u dhënë garancinë që ky institucion patjetër do të jetë korrekt me linjat e Kushtetutës duke pasur dhe një sjellje civile, një sjellje që të inkurajojë dialog, një sjellje që të inkurajojë qytetari dhe të japë garanci dhe për mjedisin shoqëror. Besoj e parë në këtë mënyrë institucioni i Presidentit i jep pikërisht garanci në këto linja. Pra, duhet të jesh shumë i kujdesshëm të mos bëhesh palë e vendimmarrjeve politike që është diku tjetër. Derivati kryesisht është në parlament.

Po në analizën tuaj, a është Shqipëria në krizë?

Unë them që ka një përkeqësim të klimës së dialogut politik dhe kjo duket qartas, ka simptoma, pra në gjuhën mjekësore mund të kesh simptoma, por mund të mos kesh kuadër të plotë. Unë preferoj që kjo të rikuperohet shpejt në inkurajimin e të gjithë faktorëve patjetër politikë, institucionalë, të normalizohet dhe patjetër të shkojmë në një organizim të shëndoshë drejt rrugës së integrimit.

Në gjykimin tuaj, si zgjidhet kjo situatë e përgjithshme? Është një situatë ku mund të ndërhyhet në mënyrë institucionale apo është një situatë që partitë politike do ta zgjidhin vetë?

Unë besoj që partitë politike e kanë treguar në retrospektivë që mbas një klime të ashpër debati relativisht të gjatë kanë ditur të gjejnë gjuhën e konsensusit dhe shifra që ju dhashë pak më parë për ndryshimet kushtetuese është impresionante, është 115 vota.

* Marrë me shkurtime

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›