Malaj: “Inflacioni shqetësues, për shkak të paaftësisë së qeverisë”
Deputeti Arben Malaj në emër të Partisë Socialiste ka shprehur shqetësimin për rritjen e inflacionit në vend dhe situatën e vështirë ekonomike në vend. Në një konferencë për shtyp, Malaj tha se shkaku i këtyre fenomeneve është i lidhur me rritjen e nivelit të korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë aktuale. “Është momenti për të tërhequr vëmendjen publikisht, që sfidat e vitit 2008 janë më të vështira se të vitit 2007, sidomos në pjesën e inflacionit. Ju i shikoni dhe i konstatoni rritjen e përgjithshme të çmimeve, të karburanteve dhe të mallrave të tjerë jetikë. Qeveria duhet të ketë një strategji të qartë për të kufizuar ngarkesën negative që shkon te shtresat më të varfra të popullsisë ndaj inflacionit në rritje”, - tha Malaj.
Rama në Itali për programin qeverisës
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është nisur dje drejt Italisë. Në axhendën e kësaj vizite, Rama ka planifikuar të zhvillojë disa takime me ekonomistët dhe specialistët më të mirë të fushës së ekonomisë në Itali, me të cilët do të konsultohet për programin e ri qeverisës të PS-së. Falë këtij konsultimi, Rama do të hartojë programin e ri ekonomik, të cilin shpreson ta vërë në jetë në rast se PS-ja fiton zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009.
12 Mars 2008