Greva e urisë u mbyll pas 27 ditësh
BULQIZË Është mbyllur greva e urisë së minatorëve të Bulqizës në ditën e 27 të saj. Janë dashur orë të shumta negociata mes drejtuesit të Forcave RENEA, Shemsi Prençi dhe presidentit të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, derisa minatorët janë transportuar nga niveli 14 drejt spitalit lokal të Bulqizës. Më shumë se 300 forca policore, të specializuara në raste aksionesh të rëndësishme, kanë “rrethuar” mesnatën e të premtes qytetin e Bulqizës dhe minierën e kromit, tashmë “pronë” e kompanisë austriake Albanian Chrom. Fillimisht zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit u takuan me komisionin e grevës dhe këshillin sindikal të minatorëve. Pasi u kërkuan të largojnë mbështetësit para galerisë ku ishin ngujuar minatorët, kanë kërkuar të mundësohet dalja e grevistëve të urisë nga nëntoka. Asnjëra nga kërkesat nuk është plotësuar. Forcat e shumta të RENEA-s dhe Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë janë urdhëruar në të gdhirë të të shtunës për të larguar me forcë minatorët dhe familjarët e grevistëve nga galeria.