Topi: Politika, duart larg historisë
BLEDAR HOTI
Presidenti i Republikës, Bamir Topi e cilëson enciklopedinë e botuar në Maqedoni si një veprim që kishte mbështetje politike dhe jo si një lajthitje e Akademisë maqedonase. Deklarata e ashpër e kreut të shtetit, Topi u bë gjatë dorëzimit të diplomave të studentëve të brezit të tretë të Shkollës Politike. Kreu i shtetit ka komentuar edhe debatin e hapur mbi historinë e klasës 12 në Shqipëri, duke theksuar se historianët nuk duhet të ndikohen nga politika. “Padyshim që ka elementë, të cilët nuk vijnë nga lajthitje të akademikëve, absolutisht. Këto vijnë si pasojë e një bashkëpunimi patologjik të segmenteve të caktuara të politikës me qarqe akademike dhe këtu politika, por në radhë të parë institucionet, ata që merren me trajtimin e historisë, duhet të jenë shumë të vëmendshëm për të vepruar, për të reaguar ndaj qarqeve të ndryshme, të cilat ende jetojnë, apo punojnë në zyrat ende me pluhur të ish-Jugosllavisë komuniste, të cilët kanë harruar që Shqipëria sot është një vend i NATO-s, është një vend i cili ka bërë hapa të dukshëm në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, është një faktor shumë i rëndësishëm i stabilitetit në rajon, një interlokutor shumë i rëndësishëm i të gjithë dialogut politik në rajon dhe jo vetëm institucionet e Shqipërisë, por edhe institucionet e Kosovës”, deklaroi Topi. Kreu i Shtetit theksoi se: “Nuk do të ketë asnjë shans që të rikthejë në të kaluarën e dhimbshme historike popujt e Ballkanit. Unë natyrisht kam rastin ta përshëndes reagimin për ta tërhequr, por unë mendoj që para se të bëjnë veprime për ta tërhequr, politikanët, apo qarqet akademike duhet të dinë mirë, të mendojnë mirë, të parashikojnë mirë që historia nuk bëhet me emocione politike, historia bëhet me një mendim të qartë objektiv dhe shkencor. Politika duhet të dijë të kushtëzojë institucionet akademike. Dhe mjerë ai akademik pastaj, që është i infiltruar nga ideologji politike, apo partiake aq më keq!”. “Akademiku nuk është i tillë në rast se brenda tij bashkëjeton objektiviteti dhe subjektiviteti partiak dhe aq më shumë ai partiak. Kjo është arsyeja që njerëzit që merren me shkencë, njerëzit që merren me histori, njerëzit që merren me akademinë t’i përkushtohen asaj pune në mënyrë objektive. Historia nuk është pesë vjet! Historia nuk është njëzet vjet! Historia është mijëravjeçare dhe ne nuk duhet të lejojmë jo vetëm shfaqje, qofshin këto dhe segmentare të qarqeve të caktuara që kërkojnë të rikthejnë tensione në Ballkan, por në çdo lloj konteksti nuk duhet që t’i japim pjesës akademike, sepse nuk përfaqësojnë interesa partiake, por përfaqësojnë interesa kombëtare”, deklaroi Topi.