E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Berisha të hapë dosjet e t’i heqë titujt Enver Hoxhës”

 

Ish të përndjekurit politik i kërkojnë Kryeministrit Sali Berisha që të bëjë publike dosjet e spiunëve të Sigurimit të Shtetit. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare e Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni e lidhi këtë kërkesë si pjesë të pajtimit të shoqërisë shqiptare. “Hapja e arkivave sekrete të komunizmit dhe krijimi i “Komisionit të së vërtetës” janë kushte themelore për arritjen e një pajtimi kombëtar. Ne nuk mund të ecim më me iniciativa propagandistike dhe vendime që mbeten në letër. Është koha Evropës demokratike dhe jo e ideologjisë së të kaluarës komuniste”, deklaroi Ndregjoni. Gjithashtu, kjo shoqatë kërkon heqjen e të gjitha titujve të diktatorit Enver Hoxha.
“I kërkojmë qeverisë dënimin e diktatorit Hoxha dhe heqjen e të gjitha titujve, si diktatori më i egër dhe më kriminal në të gjithë Evropën. Në vendin ku ishte busti i tij të vendoset memoriali i krimeve të komunizmit. Për këtë memorial ne i kemi bërë ftesë për ndihmë dhe Këshillit të Evropës ku kemi konfirmime pozitive. Të gjenden eshtrat e të vrarëve pa gjyqe dhe në vendet ku janë ekzekutuar të vendosen pllaka përkujtimore. Dhe të varrosen si dëshmorë të kombit, të cilët u vranë që Shqipëria të ishte e lirë dhe demokratike”, tha Ndregjoni. Gjithashtu, kjo shoqatë kërkon që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të japë një kuotë të veçantë për t’u arsimuar fëmijët e të përndjekurve, të cilët nuk kanë kushtet më minimale të barabarta me pjesën tjetër të shoqërisë, si dhe të evidentohen në historinë e kombit të gjitha krimet e diktaturës komuniste. Historia shkruhet me fakte dhe jo me politizime e trysni e demonstrata politikanësh. Gjithashtu, kjo shoqatë kërkon nga qeveria si emergjente hartimin e një strategjie kombëtare për Integrimin e qëndrestarëve, ish të përndjekurve politikë e viktimave të torturës komuniste, e cila është e lidhur ngushtë me gjendjen e tyre arsimore, ekonomike, dhe mjeko-sociale. “Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financës të vazhdojnë në mënyrë të pandërprerë dhënien dëmshpërblimit dhe mos të nxjerrin lloj-lloj vicklash burokratike për të penguar këtë detyrim ligjor, dhe t’ua kthejnë urgjent vitet e burgut ish të burgosurve politikë që ua kanë ndaluar pa të drejtë, por në mënyrë të stërholluar siç bënte Sigurimi i Shtetit kur i dënonte”, tha Ndregjoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›