E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Politika duhet të garantojë lirinë e medias

Presidenti Bamir Topi dënoi dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze, duke kërkuar nga drejtësia që të bëjë punën e saj për të vendosur autorët e kësaj ngjarjeje menjëherë përpara drejtësisë.

Përmes një njoftimi për median, kreu i shtetit kërkoi me urgjencë nga të gjitha organet e drejtësisë të zbardhin pa vonesë ngjarjen dhe të vënë përpara drejtësisë autorët e vërtetë të sulmit ndaj gazetarit Mero Baze. Presidenti, duke dënuar aktin e dhunës së ushtruar, gjeti rastin të bëjë edhe një apel për spektrin politik që të mos kontribuojë vetëm me fjalë për lirinë e shtypit dhe të medias në vendin tonë. Kreu i shtetit u bëri thirrje të gjithë faktorëve politikë në Shqipëri që të shqyrtojnë me shqetësim këtë akt. "Të gjithë aktorët politikë në Shqipëri të analizojnë me shqetësim këtë akt, duke u angazhuar realisht dhe jo vetëm nëpërmjet deklaratave, në krijimin dhe garantimin e lirisë dhe pavarësisë së medias", thuhet në reagimin e Topit. "Dhunimi dhe presioni i drejtpërdrejtë apo i tërthortë ndaj medias dhe gazetarëve shqiptarë është një kthim mbrapa në demokracinë që të gjithë dëshirojmë të ndërtojmë", vijon njoftimi i Presidencës. Topi e cilësoi keqtrajtimin e gazetarëve si një fenomen të pajustifikuar dhe të papranueshëm për të gjithë shoqërinë. Presidenti kërkoi nga autoritetet kompetente që të vendosë menjëherë përpara drejtësisë autorët e vërtetë të këtij akti vandal. Deklarata e kreut të shtetit erdhi pas sulmit që iu bë një ditë më parë gazetarit dhe botuesit të gazetës "Tema", Mero Baze në një nga lokalet në qendër të Tiranës, ku u godit nga disa persona në ambientet e brendshme të lokalit dhe më pas është dërguar në spital në gjendje të rëndë nga miqtë e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›