E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Meta: Drejtësia të ndëshkojë autorët

Kryeministri dënoi dje gjithashtu dhunën ndaj gazetarit, analistit dhe botuesit të gazetës "Tema", Mero Baze. Nëpërmjet zëdhënëses së tij, Juela Meçani, kreu i qeverisë e cilësoi aktin si të shëmtuar, të rëndë dhe të papranueshëm për shoqërinë shqiptare. Qëndrimi i numrit një të qeverisë u bë publik nëpërmjet një komunikate zyrtare nga zëdhënësja Meçani dje në mesditë në selinë e Kryeministrisë. Në deklaratë thuhet se "Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha dënon me ashpërsinë më të madhe rrahjen dhe lëndimin e gazetarit Mero Baze, në një nga lokalet e kryeqytetit mbrëmë, si një akt i shëmtuar, i rëndë dhe i papranueshëm për shoqërinë e lire". Zëdhënësja Meçani tha se kreu i ekzekutivit i kërkoi autoriteteve kompetente të ndërmarrin të gjitha masat për të nxjerrë përgjegjësitë ligjore dhe të dënojë autorët e këtij akti të rëndë. "Kryeministri Berisha u kërkon organeve kompetente të ndërmarrin të gjitha masat për të nxjerrë përgjegjësinë e plotë ligjore të autorëve të këtij akti të rëndë. Sikundër Kryeministri Berisha thekson edhe një herë se cenimi, keqtrajtimi dhe presioni i çdo forme ndaj gazetarëve për qeverinë shqiptare përbën një akt shumë të rëndë dhe të pajustifikuar nga asgjë", thuhet në komunikatën për shtyp të Kryeministrisë. Edhe numri dy i qeverisë, Ilir Meta, dënoi dhunën ndaj gazetarit Mero Baze. Ndryshe nga Kryeministri Berisha, pasuesi i tij dhe shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta doli personalisht përpara opinionit publik për të dënuar këtë akt. Ai tha se agresorët duhet të dënohen dhe se para drejtësisë janë të gjithë të barabartë. "Dënoj aktin e dhunshëm dhe barbar kundër gazetarit Mero Baze. Shpreh solidaritetin me të gjithë gazetarët dhe njerëzit e mediave në vendin tonë", u shpreh Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›