Topi: “Politika duhet të ketë më pak tension dhe më shumë produkt”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka bërë apel politikës që të ulë tonet dhe të jetë më produktive për Shqipërinë dhe shqiptarët. Pas vizitës që zhvilloi dje në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”, Presidenti i Republikës iu përgjigj interesimit të mediave në lidhje me seancën parlamentare të një nate më parë, ku pozita dhe opozita nuk arritën në një marrëveshje konsensuale përsa i përket ngritjes së komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit. Kreu i shtetit tha se politika në Shqipëri duhet të reflektojë për të ardhmen dhe në këtë këndvështrim duhet të ketë më shumë mirëkuptim mes pozitës dhe opozitës. Ai tha se politika në vend duhet të ketë më pak tension dhe më shumë punë për vendin.
Apeli
I pyetur për dështimin e seancës së një nate më parë në Kuvend, kreu i shtetit kërkoi të mos përfshihej në debatin politik, por gjithsesi gjeti hapësirën për të bërë një apel për politikanët shqiptarë. “Më lejoni që ta mbyll këtë ditë pa u marrë me politikën. Duke u marrë me fëmijët, sepse po të merremi me fëmijët, të jemi shumë të kujdesshëm për ata, jo thjesht për t’u uruar Vitin e Ri, por për t’u përkujdesur për të ardhmen e tyre, sigurisht që ata do të jenë e ardhmja e Shqipërisë në të gjitha këndvështrimet. Duhet të merremi më shumë me brezin e ri, të përkujdesemi, të japim mesazhet e duhura. Besoj se politika do ta gjejë vendin e vet”, - është shprehur presidenti Topi, ndërsa dha e mesazhin e tij për politikën në formën e një urimi. “Natyrisht, në urimin që kam dhënë gjithmonë: të kenë më pak tensione dhe sa më afër t’u afrohesh festave të rëndësishme, të cilat të shkëpusin pak nga politika, të bën që të reflektosh se ky vend do të ketë të ardhme në rast se do të ketë mirëkuptim. Nuk është e thënë që pozita dhe opozita të mirëkuptohen, sepse vetë termi ‘pozitë dhe opozitë’ nënkupton një lloj kontradiksioni brenda të gjitha parametrave demokratikë, por duke bërë atë që duhet të bëjmë për Shqipërinë, për njerëzit. Sikurse thashë, më pak tension, më shumë argument dhe më shumë produkt! Këtë mund të them në këtë ditë që i dedikohet më shumë fëmijëve”, - është shprehur kreu i shtetit.
Kjo deklaratë u bë pas vizitës që Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, zhvilluan në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”, ku u uruan Vitin e Ri 2011 në një atmosferë të ngrohtë e festive fëmijëve të kësaj shtëpie. Drejtoresha e shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”, zonja Jonida Çaroshi, shprehu mirënjohjen për vëmendjen dhe kujdesin e vazhdueshëm të kreut të shtetit dhe Zonjës së Parë, Teuta Topi, për nevojat e fëmijëve, duke falënderuar edhe në emër të stafit të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”, edhe në emër të të gjithë fëmijëve. Nën kujdesin e mësueseve dhe edukatoreve të Shtëpisë së Fëmijës, fëmijët dhanë një koncert të shkurtër të përgatitur mjeshtërisht me recitime, kërcime, valle dhe këngë, ndërsa vetë fëmijët morën nga presidenti Topi dhe Zonja e Parë dhuratat e përgatitura për ta.
Fajon: “Palët duhet të arrijnë konsensusin për statusin në BE”
Afrimi i Shqipërisë me Bashkimin Europian kërkon më shumë angazhim në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe aftësimin e administratës publike. Por, sipas europarlamentares Tanja Fajon, procesi integrues i Shqipërisë në BE kërkon dhe konsensus politik mes palëve. Fajon i bën thirrje politikës shqiptare që të plotësojë kriteret që rrjedhin nga opinioni i KE-së, me qëllim marrjen e një mendimi pozitiv nga Komisioni Europian në vjeshtën e 2011-s për statusin e vendit kandidat. “Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së kur ajo të ketë plotësuar të gjitha kriteret. Ju e dini më mirë se unë sa larg është vendi juaj nga vendet e BE-së. Liberalizimi i vizave ishte një hap i rëndësishëm që u bë mirë. Por, nga ana tjetër, në raportin e progresit të nëntorit të Komisionit Europian, Shqipëria nuk ishte më e mira. Kështu që duhet bërë më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në aftësimin e administratës publike. Janë shumë e shumë kritere që Shqipëria duhet t’i përmbushë”, - tha Fajon. Ndërsa palët në vend nuk kanë arritur ende një konsensus për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e qershorit 2009, deputetja sllovene e Parlamentit Europian këshillon forcat politike në Shqipëri të zgjidhin krizën. “Është me rëndësi që të dyja palët në vend, qeveria dhe opozita, po provojnë të gjejnë dialogun, që institucionet të jenë funksionale, sepse kjo është në interes të vendit. Dhe, natyrisht, ne në institucionet europiane dëshirojmë të shohim se institucionet funksionojnë dhe në vend ka dialog”, - tha Fajon.
Meta në Gjakovë: “Raporti i Dik Martit, frymëzim antishqiptar”
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Gjakovë, ku u prit në një takim nga kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj. Gjatë këtij takimi Meta falënderoi kryetarin e komunës së Gjakovës për ndihmën e dhënë për banorët e Shkodrës dhe Nën-Shkodrës, të cilët u prekën nga fatkeqësia natyrore e përmbytjeve. Nga ana e tij, kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, u shpreh i gatshëm për të vijuar këto ndihma, duke iu gjendur pranë banorëve të prekur nga pasojat e fatkeqësisë natyrore. Pas takimit me kryetarin e komunës së Gjakovës, Meta iu përgjigj interesit të medias lidhur me raportin e eurodeputetit Dik Marti dhe u shpreh se ky raport është një frymëzim antishqiptar i atyre që asnjëherë nuk janë pajtuar me integrimin e Kosovës dhe Shqipërisë. “Absolutisht, raporti i Dik Martit është një frymëzim antishqiptar, për llogari të atyre qarqeve që asnjëherë nuk janë pajtuar me pavarësinë e Kosovës, që nuk janë pajtuar me integrimin e Kosovës dhe Shqipërisë në rrjedhat euroatlantike. Pa dyshim, ne hedhim poshtë me përbuzje këtë raport, të bazuar mbi halucinacione, trillime dhe fiksime aspak të faktuara. Nuk është hera e parë që qarqe të tilla nacionaliste, ekstremiste në Serbi frymëzojnë sulme të tilla ndaj Kosovës e Shqipërisë. Janë ato qarqe që janë të lidhura me përgjegjësinë e atij gjenocidi që ndodhi në Kosovë, në Bosnjë, në gjithë Ballkanin, pra janë pasuesit e politikës së Sllobodan Millosheviçit”, - u shpreh, Meta. Sipas zëvendëskryeministrit Meta, raporti në fjalë është edhe kundër luftës së drejtë që bëri populli i Kosovës për lirinë e tij dhe njëkohësisht kundër afirmimit të Shqipërisë, si një vend plotësisht i devotshëm i komunitetit euroatlantik, që plotëson të gjitha detyrimet e veta. “Ato qarqe antishqiptare dhe antiperëndimore kërkojnë të dëmtojnë një nga arritjet më të rëndësishme të dekadës së fundit, që është një Kosovë e lirë dhe demokratike, një Kosovë që është një shtet i lirë, që po tregon se funksionon përkundër atij gjenocidi të pashembullt që ndodhi këtu para 10 vjetëve”, - tha Meta. Numri dy i qeverisë shqiptare deklaroi se Shqipëria do të nisë një fushatë për çmontimin e këtij raporti. “Shqipëria ka filluar dhe do të vazhdojë me intensitet një fushatë ndërkombëtare, e cila synon çmontimin, jo vetëm të këtij raporti”, - tha Meta.
29 Dhjetor 2010