Rama: “PS-ja nuk heq dorë nga hetimi i zgjedhjeve dhe nga zgjedhjet e lira”
Eljona Ballhusa
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, theksoi dje se opozita nuk do të tërhiqet e as do të ndryshojë qëndrim në lidhje me hetimin e zgjedhjeve të qershorit. Seanca parlamentare e së hënës, sipas Ramës, ishte prova më e mirë se maxhoranca dhe Sali Berisha kanë vjedhur zgjedhjet e nuk e duan transparencën që do ta provonte këtë. Për Ramën, Sali Berisha nuk i lë shqiptarët të zgjedhin e as i qeveris ata, ndërsa koalicionin qeverisës e mban bashkë vetëm korrupsioni që po ekspozohet përditë. Kryetari i Partisë Socialiste e akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Berisha se me refuzimin e çdo kompromisi të afruar nga opozita po e thellon më tej krizën politike në dëm të shqiptarëve. Reagimi i Ramës vjen pasi Parlamenti rrëzoi gjatë seancës së të hënës kërkesën e PS-së për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke komentuar seancën parlamentare, Rama tha Berisha u shfaqi shqiptarëve “mungesën e edukatës minimale”. Por Rama, gjatë fjalës së tij, u mor dhe me aleatin kryesor të Berishës, zëvendëskryeministrin Meta, duke e cilësuar atë ponin e Berishës. Në përfundim Rama theksoi se Partia Socialiste do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 28 qershorit.
Akuzat
“Berisha foli pa fund, shpifi pa fund, fyeu pa fund dhe i dha fund këtij viti parlamentar në mënyrë më të dëmshme për vendin dhe për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, duke refuzuar çdo kompromis të afruar nga opozita dhe duke e thelluar krizën politike. E vetmja e re që kishte e hëna nga e premtja ishte se mbrëmë Saliu erdhi i hipur mbi ponin që e ka për zv.kryeministër. S’e kam fjalën për Ferdinand Ponin, por për një lloj kali shtatshkurtër dhe shëndetbujshëm që ngjan shumë me Ilir Metën. Kalorësi Sali, duke luftuar opozitën me këmbë në tokë dhe poni Ilir hingëllinte kundër opozitës me Saliun në kurriz ishte fotografia e plotë e një koalicioni qeveritar të cilin e mban bashkë vetëm korrupsioni”, - tha Rama. Ai tha se edhe në këtë seancë nuk dëgjoi asnjë fjalë të mirë për pensionistët që nuk do të marrin asnjë shpërblim për festat dhe as për kategoritë e tjera si arsimtarët apo mjekët. Sipas tyre, në seancën e fundit parlamentare nuk u dha asnjë shpresë për qytetarët, përkundrazi, u ritregoi se Shqipëria nuk qeveriset nga ata që ka zgjedhur, por sundohet nga ata që nuk e kanë lënë të zgjedhë.
Rama tha se Berisha tregoi në sy të të gjithëve se ka manipuluar zgjedhjet. “Saliu e pranoi faqe gjithë shqiptarëve se i ka vjedhur votat më 28 qershor dhe se e vërteta e kyçur në kutitë e materialeve zgjedhore është e tmerrshme, e padurueshme dhe e papërballueshme për të dhe për qeverinë e tij. Falë vulës së mbrëmshme ne kemi të vërtetuar katërcipërisht vjedhjen. Falë vulës së mbrëmshme s’ka më shqiptar me një fije arsye, dhe të tillë janë thuajse të gjithë shqiptarët, që të mos e ketë kuptuar se kush nuk e do transparencën, pse nuk e do transparencën. Jemi përpara një situate jashtëzakonisht dramatike, por njëkohësisht jemi në një udhëkryq shumë të rrezikshëm, ku shoqëria rrezikon të mpihet për shkak se aferat dhe skandalet e korrupsionit janë bërë kaq qartësisht të dukshme, por dhe kaq të përditshme sa asgjë nuk çudit më askënd”, - është shprehur Rama. Kryesocialisti shtoi se vendi ka një “opozitë më të vendosur se kurrë dhe më të bashkuar se asnjëherë, që nuk do të heqë dorë nga transparenca dhe herët ose vonë transparenca do të bëhet. Opozita do të vazhdojë të kërkojë transparencën. Të dënojë sigurisht moralisht në sytë e të gjithë shqiptarëve vjedhësit e zgjedhjeve që tashmë me vulën e tyre kanë pranuar vjedhjen dhe të çojë përpara një proces politik që duhet të kurorëzohet me çlirimin e zgjedhjeve dhe të zgjidhjeve për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, - është shprehur Rama.
Alibeaj: “Hetimi i zgjedhjeve, Edi Rama bëri blof”
Një ditë pas seancës parlamentare, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, tha se kërkesa e PS-së për hetimin e zgjedhjeve nuk ishte gjë tjetër veçse blofi i radhës i Edi Ramës. Ai tha se kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryebashkiaku Edi Rama, është humbësi i zgjedhjeve 2009 dhe për këtë arsye ai ka bërë blofin e radhës. Alibeaj vuri në dukje se Rama ka një vit e gjysmë që gënjen e mashtron e në të njëjtën kohë, refuzon ligjin dhe zgjidhjen e krizës politike. “Edvin Rama, humbësi i zgjedhjeve të 2009-s, dje bëri blofin e radhës. Ka një vit e gjysmë që ky zotëri, mashtron socialistët, mashtron shqiptarët, ka mashtruar partnerët ndërkombëtarë se gjoja kërkon hetimin e zgjedhjeve. Ky zotëri ka një vit e gjysmë që vetëm refuzon hetimin që ne i kemi ofruar, hetimin që ligji i ofron. Ky zotëri nuk e do hetimin, sepse e di që ai është humbësi i madh i zgjedhjeve më të mira që ka pasur ndonjëherë vendi dhe i dështuari më i madh i politikë shqiptare. Ky zotëri nuk e do hetimin, sepse nuk ka asnjë provë për ndryshim të rezultatit, siç shkruhet e zeza mbi të bardhë, në raportin e OSBE/ODHIR-it. Ky zotëri, njësoj si Dik Marti, shpif dhe akuzon pa prova. Zoti Dik, koha juaj ka mbaruar”, - është shprehur Alibeaj.
LSI: Rama, peng i strukturave të krimit të organizuar dhe klaneve mafioze
Fill pas deklaratës së kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili e cilësoi kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, si poni i Berishës, reagoi dje selia e LSI-së. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, e ka akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, se është peng i krimit të organizuar që ka interesa në Bashkinë e Tiranës. Në reagimin e tij për mediat përfaqësuesi i lartë i LSI-së tha se Rama ka folur si një person i marrë peng nga strukturat kriminale. “Socialistët nuk ka se si të ndihen keq për shkak të gjendjes në të cilën gjendet për fat të keq për PS-në, kryetari i tyre, i cili edhe në shfaqjen e tij të fundit mediatike nuk doli në emër të interesa të socialistëve, në emër të qytetarëve të këtij vendi, por foli si zëdhënës mjeran i zënë peng nga struktura e krimit të organizuar, nga klane mafioze, të cilat vazhdojnë të ushtrojnë presion dhe e detyrojnë atë të flasë me këtë gjuhë për të bërë shantazh që t’i dhurohet Bashkia e Tiranës”, - tha Luan Rama. Ai theksoi se Rama kërkon Bashkinë, pasi në të kundërt ai humbet gjithnjë ndikimin që ka në PS dhe më gjerë. “Ai e di shumë mirë që me largimin e tij nga andej, socialistët do ta largojnë edhe nga partia dhe kështu do të marrë fund përfundimisht një vatër e kontaminuar keq, që përdoret për interesa që nuk kanë të bëjë me interesat e qytetarëve të Tiranës, por që si e tillë është shndërruar në një vatër ku përplasen dhe ku drejtojnë interesat kriminale të qarqeve të njohura tashmë të pastrimit të parave të cilat e kanë shndërruar Tiranën në Tiranën e betonizimit”, - tha Luan Rama. Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama u kërkoi socialistëve që të distancohen nga Edi Rama dhe të ngrihen në nivelin e përgjegjësive të misionit të tyre të shenjtë të solidaritetit dhe të vlerave që ata kanë kultivuar në vite. “Nuk iu shkon socialistëve shqiptarë të jenë jashtë proceseve europianizuese dhe integruese të vendit, nuk iu shkon socialistëve shqiptarë të bëhen pengesë për rrugën e pakthyeshme të Shqipërisë euriopiane”, - tha Rama. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së tha se kreu i PS-së nuk “nuk ka të drejtë të tallet me interesat e socialistëve dhe të përdorë PS-në si ombrellë për gjithçka lidhet me një prapavijë kriminale që e komandon atë”.
Kryeministri shpërndan dhurata për fëmijët e policëve të vrarë
Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, ka marrë pjesë dje në ceremoninë festive të organizuar me rastin e festës së Vitit të Ri më fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës, për të cilët u shpërndanë dhurata. Çdo fëmijë përfitoi edhe një shumë prej 200 mijë lekësh kontribut i punonjësve të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit. Gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni, Berisha garantoi se “qeveria do të bëjë gjithçka që të lehtësojë përpjekjet tuaja për të ndërtuar të ardhmen që ju meritoni. Ne me asgjë nuk mund të zëvendësojmë më të dashurit tuaj, por ne do të bëjmë gjithçka, që të keni mbështetje të plotë siç e meritoni, ky është një detyrim i madh i shoqërisë shqiptare ndaj jush, ndaj familjeve tuaja. Sakrifica sublime e baballarëve tuaj, e bashkëshortëve tuaj, e fëmijëve tuaj, qëndron në themel të rezultateve, të sukseseve, të garancisë së jetës, pronës, veprimtarisë së qytetarëve shqiptare, por edhe në themel të njërës prej arritjeve personale me të mëdha në jetën e çdo shqiptari, siç është lëvizja e lirë në Europë”, - është shprehur kryeministri. Ai u bëri thirrje fëmijëve që të mos ngurojnë dhe të kërkojnë mbështetjen e autoriteteve shtetërore. “Unë jam informuar për një solidaritet të madh që efektivat e policisë së shteti kanë treguar ndaj jush dhe unë dua t’i përgëzoj ata, sepse kanë bërë një gjest prindëror njerëzor, ndaj familjarëve dhe fëmijëve të miqve, të shokëve, të kolegëve të tyre, që nuk jetojnë më. Unë e kuptoj se problemet familjare janë të shumta, por ju ftoj ju, të mos nguroni në çdo rast për të kërkuar mbështetjen e autoriteteve shtetërore, aty ku ndodheni. Ligjet dhe kuadri ligjor është plotësuar, por të jeni të sigurt ju, se ne qëndrojmë të gatshëm për çdo boshllëk dhe qeveria ime është e vendosur të bëjë çdo gjë që ju në mungesë të njerëzve tuaj më të dashur të keni një jetë sa më normale”, - është shprehur Berisha.
29 Dhjetor 2010