E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Politika e paaftë; Kosova s´ndahet!

Në fjalën e mbajtur, kreu i shtetit shqiptar ka theksuar se nga Samiti i fundit i SEECP-it, Shqipëria ka shënuar një bilanc politik progresi në raport me synimet dhe frymën e parimeve të Nismës, ashtu edhe në raport me zhvillimet e brendshme.

“Janë një sërë raportesh të institucioneve të specializuara evropiane që evidentojnë progresin e bërë në fushën e reformave ekonomike dhe institucionale, në rritjen e veprimit të ligjit dhe të shtetit të së drejtës, në progresin e luftës kundër korrupsionit dhe veprimit gjithnjë e më profesional e të pavarur të institucioneve kushtetuese”, theksoi Topi.

Megjithatë, ai nuk foli vetëm mirë në këtë forum, ku problemi sërish mbetet politika dhe mungesa e aftësisë saj për të bashkëpunuar. “Ndeshemi me vështirësi që lidhen me aftësinë e aktorëve politikë për një sjellje më bashkëpunuese dhe evropiane në çështje të debatit dhe interesit politik të ditës, por gjithsesi kemi një rritje të ndjeshme të ndërgjegjësimit publik mbi atë se cilat duhet të jenë prioritetet dhe agjenda politike evropiane e vendit dhe se cila është përgjegjësia e vendimmarrësve politikë në çështje të tilla”, shtoi ai.

Topi foli edhe për Kosovën, duke nënvizuar se krijimi i shtetit të ri është një kontribut real afatgjatë për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe demokracinë në rajonin tonë. Topi tha se Shqipëria inkurajon dialogun e nisur midis Prishtinës e Beogradit dhe shpreson shumë që përmes tij të pranohen realitetet e reja politike e shtetërore në rajon, për të ndërtuar urat e bashkëpunimit reciprok midis dy vendeve fqinje që aspirojnë ashtu si edhe ne, integrimin euro-atlantik. “Shqipëria vlerëson se çdo ide apo teori tjetër, që e sheh të ardhmen e Kosovës apo ndonjë shteti tjetër ballkanik në skenarë ndarjeje apo përjashtimi, mbetet e papranueshme dhe çfarë është më e rëndësishme, mbetet burim destabilizimi për vetë rajonin”, shton. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-06-30 13:34
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›